Myler tregon pikat e forta te Bajerni: Me Nikon jemi super, ja pozicioni im ideal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2018 | 18:35

Myler tregon pikat e forta te Bajerni: Me Nikon jemi super, ja pozicioni im ideal

Pas turpërimit në Botërorin e Rusisë të skuadrës gjermane, Tomas Myler u kritikua shumë nga media në vendin e tij dhe nga tifozët e “pancerave”, të cilët ishin shumë të zhgënjyer me skuadrën dhe lojtarin. Por, duket se Tomas tani ka rilindur sërish nën drejtimin e trajnerit të ri Niko Kovaç. 28-vjeçari ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në dy ndeshjet e para të kampionatit. Myler ka folur për “Tz” duke u shprehur se është shumë i kënaqur që është zhbllokuar me klubin e Bajernit pas ndeshjeve të dobëta me kombëtaren. “Pas Botërorit ishte e rëndësishme që të kisha një start të mirë me klubin bavarez”, u shpreh Myler. Duhet të tregoja që jam ende në formë të mirë”.

myler 11

ROLI I RI TE BAJERNI

Për lojën ofensive të skuadrës kampione të Gjermanisë, Myler shprehet se për të nuk ka asnjë problem, pasi edhe në të kaluarën Bajerni ka bërë të njëjtën mënyrë loje. “Pa dyshim që kam pikat e mia të dobëta dhe të forta. Nëse arrij të shkarkohem nga kundërshtari dhe të depërtoj në zonën e rreptësisë, e kam më të lehtë të tregoj forcën time”, u shpreh lojtari që është zhvendosur të luajë sërish në qendër, pas shpinës së Robert Levandovskit, me ardhjen e trajnerit të ri. “Mund të vrapoj shumë dhe në pozicionin ku luaj, kjo kërkohet shumë, ndaj luaj me qejf në atë rol”. Nën drejtimin e Jup Hejnkesit dhe Karlo Ançelotit, Myler luajti si sulmues krahu, pozicion të cilin mund ta bëjë sërish në të ardhmen kur të jetë nevoja. “Nëse do të jetë e nevojshme, do të luaj sërish si sulmues krahu”, tha Myler.

PËR CHAMPIONS-IN DUHET GRINTË

Me Bajernin, Myler ka objektiva të mëdha, sidomos pas dështimeve në verën që sapo kaloi. “Humbja ndaj Realit në sezonin e fundit dhe eliminimi nga faza e grupeve në Botëror nga demoralizoi shumë. Titullin e kishim të sigurt, ndaj u fokusuam te Champions-i. Shpresoj që këtë sezon të kemi një skuadër të plotë nga muaji marsi deri në maj. Për të fituar Champions-in na duhet të luajmë me inat. Trajneri Kovaç është i ri dhe na ka përcjellë shumë energji, të cilën duam ta vëmë në punë sa më shpejt”. Pas triumfit në vitin 2013, bavarezët janë eliminuar katër herë në gjysmëfinale të Champions-it. Tri herë vetëm nga Reali i Madridit dhe një herë nga Barcelona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"