Myler: S’kërkoj ndjesë po fituam shëmtuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2014 | 10:36

Myler: S’kërkoj ndjesë po fituam shëmtuar

Myleri shenonËshtë nga ata lojtarë që pranon i pari kritikat dhe përpiqet të përmirësohet. Por Tomas Myler mendon se sulmet ndaj Gjermanisë për lojën me Algjerinë janë të telekomanduara dhe të shëmtuara. Në një intervistë për “Die Welt”, ku sulmuesi 24-vjeçar prek edhe shumë tema të tjera, ai tregon se nëse Italia do ta kishte eliminuar në të njëjtën mënyrë Algjerinë, siç bëri Gjermania me shumë vështirësi në shtesë, atëherë të kaltrit do kishin marrë tjetër vlerësim.
Fitorja në 1/8-at kundër Algjerisë tingëlloi si një humbje. Per Mertezaker shpërtheu gjatë një interviste duke u vetëmbrojtur gjatë gjithë pyetësorit. Ju çfarë mendimi keni?
Edhe unë e shoh njëlloj si Per. I pres shumë mirë kritikat objektive. Nëse nuk do luaja mirë, atëherë nuk do dilja përpara pasqyrës dhe do i thosha vetes: “Uau, sot luajte shkëlqyeshëm”. Por mënyra se si kritikat pas ndeshjes me Algjerinë u formuluan, nuk ishin të pranueshme. U ndjemë sikur duhet të kërkonim ndjesë për kualifikimin në çerekfinale. Diku kam lexuar dhe fjalën “turp”. Kështu që mua më duket e turpshme, sepse na doli shkuma për 120 minuta.
Si e shikoni ju të gjithë këtë?
Pa dyshim që pjesa e parë nuk ishte fort e mirë ose, për të qenë më i saktë, ishte e dobët. Ne bëmë gabime në të gjitha sektorët dhe shpëtuam falë formës së mirë të Nojerit. Ky nuk ishte qëllimi ynë. Por prej fillimit të pjesës së dytë ishim më kërkues. Njerëzit mund të na akuzojnë vetëm për mosshndërrimin në gol të rasteve të krijuara.
Por kundërshtari që kishit përballë ishte vetëm Algjeria…
Perceptimi i publikut kishte të bënte me atë se një rezultat më i ngushtë se 4-0 kundër Algjerisë do ishte i papranueshëm. E kuptoj këtë. Pas 2-1-shit në shtesë me Algjerinë automatikisht ne u sulmuam se gjithçka shkoi keq, dhe më mirë do ishte të mos zbrisnim fare në fushë kundër Francës, se do e pësojmë. Por unë e shoh në një tjetër këndvështrim. Nëse italianët do kishin luajtur si ne, atëherë vlerësimi në fund do ishte: “Qentë e zgjuar, në fillim u tallën me kundërshtarin, pastaj e kafshuan”. Ne ishim më kërkues se Algjeria dhe pamë që afrikanët u shndërruan në një skuadër luftëtarësh. Trajneri ynë e tha me të drejtë: “Ishte një fitore vendosmërie”. Ne nuk duam që kjo paraqitje të lëvdohet, por edhe kritikat e ashpra unë i shoh të pavenda.
Si e vlerësoni paraqitjen e Gjermanisë në këtë Botëror?
Kam ndjesinë se kemi një skuadër të mirë në fushë, pavarësisht emrave që luajnë. Kundër Portugalisë gjithçka shkoi shumë mirë. Në rastin e parë që krijuam, fituam një penallti dhe e shndërruam në gol. Pastaj një goditje standarde, dhe sërish gol. Pas kartonit të kuq ne mund t’i kundërsulmonim. Ajo ndeshje shkoi mirë. Ndërsa ndeshjen me Ganën e shoh më të dobëtën që kemi bërë taktikisht. Në pjesën e parë skuadra qëndroi shumë e tërhequr. Në duelin me SHBA-në bëmë një hap përpara, 15 minutat e para ishin shumë të mira dhe në fund nuk u lejuam amerikanëve asnjë mundësi për të na ndëshkuar. Pjesa e parë kundër Algjerisë ishte sërish një hap pas, të cilin ne nuk e kishim imagjinuar. Por ne jemi të ndërgjegjshëm se në tërësi gjërat i bëmë mirë.
Botërori i 2010-ës ishte një spektakël i madh: 4-1 kundër Anglisë në 1/8-at dhe 4-0 kundër Argjentinës në çerekfinale. Çfarë i mungon Gjermanisë në Brazil për të përsëritur të tilla suksese?
Unë e shoh paraqitjen tonë në Brazil shumë herë më pozitive se ajo e 2010-ës. Deri në ndeshjen e fundit në grup (kundër Ganës) ne nuk ishim kualifikuar. Jemi pa diskutim një skuadër më e mirë se ajo e Botërorit të shkuar. Në Afrikë luanim shumë më ndryshe, nuk kishim kualitetin e duhur për ta ndërtuar manovrën e sulmit nga mbrojtja. Kundër Anglisë dhe Argjentinës kemi ndenjur në mbrojtje dhe kemi kundërsulmuar mirë. Ndaj Argjentinës Mesin e kemi mbuluar me 3 veta. Kur unë shoh lojën tonë sot, mendoj se qëndrojmë shumë më lart.
Tani përballë është Franca…
Kundër Francës do të jetë një tjetër ndeshje jo si ajo me Algjerinë. Francezët nuk do të na dhurojnë topin dhe thonë: “Tani ne do mbrohemi”. Ata do të na respektojnë, por kanë mjaftueshëm lojtarë për të na ngacmuar kur të na sulmojnë. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë më e hapur se të tjerat.
Francës i mungon shoku juaj te Bajerni, Frenk Riberi. Është hapur një debat nëse mungesa e tij do të ketë një efekt të ngjashëm me atë të Mikael Balakut përpara Kupës së Botës në 2010-ën, duke e çliruar skuadrën.
Njerëzit mund ta interpretojnë si të duan. Nëse ne do ta eliminojmë Francën, çka unë shpresoj të ndodhë, atëherë do të thuhet se u ndie mungesa e Riberisë. Në futboll të gjithë janë të zëvendësueshëm, por mendoj se një Riberi në formë do i bënte punë çdo skuadre.
Keni ndonjë skemë tjetër si ajo kundër Algjerisë?
Kemi edhe disa. Përse?
Sepse bëtë sikur u rrëzuat dhe më pas u ngritët sërish për të vrapuar dhe u komentua si një skenë qesharake...
Mendova se ishte një plan shumë i mirë dhe do të ishte fantastike po të kishte funksionuar. Mbrojtja e tyre nuk e kuptoi se çfarë po përpiqesha të bëja. Nëse topi do të kishte përfunduar 30 centimetër sipër barrierës, atëherë unë do të shfaqesha i vetëm përpara porte. Sigurisht që kur nuk funksionon, do duhet të dëgjosh edhe talljet. Por mendoj se ia vlejti ta provonim.
Jeni i lumtur që do të luani në stadiumin “Marakana”?
Më duket interesante të luaj në një vend ku është shkruar historia. Duhet të ketë një domethënie të veçantë.
A iu kanë lënë 120 minutat kundër Algjerisë energji për të luajtur atje?
Po. Mendoj se ne kemi shpenzuar shumë më tepër kundër Portugalisë, sepse nuk ishim mësuar me atë vapë. Veç Shvajnshtaigerit, i cili pati disa shqetësime të vogla, kundër Algjerisë nuk patëm asnjë shqetësim. Kishim forcë për të vrapuar deri në fund dhe nuk shoh asnjë problem me lodhjen kundër Francës.
Shikoni ndonjë problem sikur Shvajnshtaigeri dhe Khedira të luajnë së bashku?
Jo, përse? Që të dy janë futbollistë të shkëlqyer dhe mund të luajnë gjithnjë së bashku. Pas dëmtimeve gjendja e tyre fizike është përmirësuar.
Do të ishte një eliminim në çerekfinale i pranueshëm për ju?
I lumtur do të jem vetëm nëse rikthehem në shtëpi me kupën në valixhe. Unë luaj te Bajerni dhe jam mësuar që të jem prej vitesh në nivele të larta. Kështu që nuk mund të them pas një finaleje të humbur: “Jam i kënaqur edhe kështu”. Nuk do të ulesha dot në sedijen e avionit i buzëqeshur. Por mos prisni të kërkoj falje po fituam 1-0 në finale.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"