“Myler, më i miri i historisë gjermane”, Jup Hejnkes: Flik do të ishte përgatitësi im atletik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 10:12

“Myler, më i miri i historisë gjermane”, Jup Hejnkes: Flik do të ishte përgatitësi im atletik

Ky Bajern i sivjetshëm, edhe pa finalizuar Tripletën e titujve, ishte etiketuar shpesh si skuadra e njëjtë e vitit 2013, për nga ngjashmëria e lojës që bënte dhe për nga filozofia që ushqente në fushë. Prandaj, pas shumë krahasimesh dhe me “armatën” e Jup Hajnkesit, dje erdhi ora që edhe arkitekti i Tripletës së vitit 2013 të ndante elozhet me shumë prej protagonistëve të formacionit aktualë, ndonëse sipas tij vetëm njëri është lideri absolut i skuadrës. “Tomas Myler, së bashku me adashin e tij, Gerd Myler, janë pa dyshim dy futbollistët më të jashtëzakonshëm dhe më të mirë të historisë së futbollit gjerman. Tomas meriton që të nderohet me gjithçka është e mundur, sepse ashtu si Gerdi shumë vite më parë është mishërimi jo vetëm i futbollistit të talentuar, por i futbollistit që luan për skuadrën”, bënte hyrjen e tij Hajnkesi 75-vjeçar, në një intervistë për “SportBild”, ku elozhe shprehu edhe për Kimishin, pasardhësin e tij Flik dhe pa dyshim Nojerin e Levandovskin.
hejnkess
Jup, kur thoni që Tomas Myler është më i forti i historisë së bashku me Gerdin, cila është pika e fortë që ju bind të shpreheni kështu?
Arsyeja e parë dhe më kryesorja është ajo se prej një jete që luan në fushë, gjithmonë është veçuar për ndjenjën e të sakrifikuarit për skuadrën. Ai punon vetëm për skuadrën dhe asnjëherë për veten. Por, në të njëjtën kohë, ka punuar çdo ditë të jetës së tij shumë fort për të mbërritur deri në Tripletën e dytë në karrierë dhe akoma më shumë, di se si të vrapojë dhe të lëvizë në fushën e lojës. Tomas Myleri ishte “piloti” i këtij Bajerni sivjet dhe do të jetë sërish. Ishte lideri absolut i skuadrës, njeriu që spikati mes të gjithë grupit. Prandaj, si unë dhe mendoj që edhe kushdo tjetër duhet t’i heqim kapelën Tomas Mylerit.
Kimish
Një tjetër futbollist absolut në suksesin e Bajernit të Mynihut ishte edhe Xhoshua Kimish, një lojtar polivalent për nga numri i roleve që mund të ushtrojë, por edhe për faktin se ishte gjithmonë në zemër të çdo aksioni goli të Bajernit. Jeni dakord për këtë?
Absolutisht po. Lojtarë multirolësh janë ata që kanë përfaqësuar gjithmonë Bajernin në mënyrën më të denjë të mundshme. Por, Kimish, më shumë sesa një lojtar multifunksional, e jeton futbollin sikur ta ketë hobin e tij më të rëndësishëm në jetë. Kimish nuk e sheh faktin të luajë futboll si profesion, por si një lojë për t’u dëfryer, por që në të njëjtën kohë, një lojë në të cilën misioni duhet përmbushur me sukses. Ndaj, shumë futbollistë profesionistë duhet të mësojnë që ta jetojnë këtë lojë, këtë profesion, si Xhoshua Kimish.
Nojer
Ky vit 2020 nisi me një debat nëse ishte ende Manuel Nojer numri 1 ideal për portën e Bajernit dhe të Gjermanisë, me Nybelin dhe Ter Shtegenin respektivisht që dukej se e kërcënonin nga jashtë… Por mendojmë se me atë çfarë tregoi në Champions, Manuel mbetet titullari i padiskutueshëm sërish?
Jo vetëm që mbetet dhe do të vazhdojë të jetë titullari absolut i Bajernit të Mynihut dhe i Gjermanisë, por Manuel Nojer është një ndër portierët më të fortë të historisë së futbollit. Aktualisht mendoj se është më i miri në botë, por edhe një vend në podiumin e historisë së këtij sporti nuk ia rrëmben askush.
levandovski
Ndërsa Nojeri ishte i pakalueshëm, Levandovski e udhëhoqi Bajernin me 55 gola të shënuar. Duhet të ishte ai “Topi i Artë” sivjet?
Pa dyshim që po, jo vetëm për numrin e golave, por këtë sezon si asnjëherë tjetër, pashë Levandovskin që të luante më shumë për skuadrën dhe jo për veten. 2019-2020 ka qenë patjetër sezoni më i mirë i karrierës së tij dhe nëse ndodh që UEFA apo FIFA të japin një çmim për lojtarin më të mirë të këtij sezoni, atë e meriton vetëm Levandovski për shifrat që ofroi dhe për atë çfarë fitoi.
Flik
Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishmi, Hansi Flik. Shumë e krahasuan me ju, por çfarë ju goditi më tepër nga Hansi?
Më mahniti mënyra se si e mori skuadrën pas shkarkimit të Kovaçit, menaxhimin e saj në një situatë të vështirë dhe për mënyrën e komunikimit që ndryshoi menjëherë me grupin e futbollistëve. E gjithë kjo bëri që lojtarët të besonin verbërisht te Fliku dhe të pranonin zgjedhjet e tij. Pastaj, për sa i përket ngjashmërisë me mua, mendoj se do të kishte qenë një përgjegjës atletik i shkëlqyer në stafin tim, një ndihmës imi dhe kaq… (qesh) Pavarësisht shakave, Hansi Flik nuk ishte “bosi” i këtij Bajerni vetëm për pozicionin që ia kishin dhënë drejtuesit, por për personalitetin që shfaqi dhe bëri lojtarët që ta ndjekin në çdo ide të tijën.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"