Myler, ai që po mrekullon botën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2014 | 16:07

Myler, ai që po mrekullon botën

Myler dhe PepePas një personazhi që mrekulloi botën me tripletën e shënuar ndaj Portugalisë, fshihet edhe njeriu i sakrificës dhe djaloshi që u rrit dhe u arsimua në fshat. Është pikërisht djaloshi që u rrit mes kuajve, ambientit rural në Vailhaim të Oberbajernit, që falë aftësive dhe instinkteve të tij kaloi me sukses barrierat, duke u shndërruar në “idhullin” e… botës. Pas fitores së “Këpucës së Artë” në 2010-n, Myler planifikon të shkruajë historinë. Asnjë golashënues nuk ka mundur ta fitojë dy herë radhazi këtë çmim. Gjithashtu, ai është në rrugë të mbarë për të thyer rekordin e golave të Ronaldos dhe Kloses në Botëror, si dhe pjesëmarrjeve të Mateusit (25 ndeshje). 24-vjeçari i Bajernit ka shënuar 8 gola në 7 ndeshje deri tani. “Bild” i ka përkushtuar një reportazh “Njeriut të ndeshjes” ndaj Portugalisë, duke i bërë biografinë e karrierës së tij nga fëmijëria, te Bajerni dhe Botërori 2014.
Martesë si në fshat që 20 vjeç
Duket i vogël në moshë, por Myleri ka një zemër të madhe. Në një ambient fshati ai u njoh dhe u dashurua me bashkëmoshataren e tij, Lizën. Euforinë dhe ndjenjat e moshës bënë që ai ta kurorëzonte lidhjen në martesë (2009) një vit pas përfundimit të maturës në moshën 20-vjeçare. “Jam martuar i vogël, por kjo më ka bërë të formohem më herët si njeri dhe futbollist. Fëmijë? Akoma nuk ka ardhur koha biologjike”, – deklaron me të qeshur Myler gjatë një interviste për “gala.de” së bashku me bashkëshorten e tij.
Amator te TSV Pahl 1993-2000
Në fshatin paqësor të “Pahl am Amerze” (afro 2500 banorë) nisi karrierën në futboll Tomasi i vogël. Kushëriri i tij Andreas (32 vjeç) tregonte një herë: “Ne e morëm thjesht me vete. Tomas ishte 4 vjeç, shumë i ri dhe i vogël, por ai fliste mjaft bukur”. Pika kulminante në Pahl ishte sezoni 1998-’99: Myleri shënoi për një sezon 120 gola për ekipin e zonës Oberbajern. 2000-2009: Bajern amator “Spiunët” e Bajernit zbuluan Mylerin dhe e morën atë në vitin 2000. Por, edhe rivalët e Bajernit, Mynih 1860, e donin. “Blutë telefonuan 6 muaj me vonesë, kur isha te Bajerni”, – pati thënë Myler. Përkrahësit e mëdhenj të Tomasit u bënë legjenda Gerd Myler dhe asistenti i Guardiolës, Herman Gerland. “Kënaqem kur më krahasojnë me Gerd Mylerin. Kur isha i vogël më ka mësuar për disa gjëra dhe nga eksperienca e tij kam përfituar edhe sot”.
Debuton me Klinsman, Van Gal e kthen në “vrasës”
Tomas Myleri debutoi në ekipin e parë të Bajernit nën drejtimin e Jurgen Klinsmanit në ndeshjen e parë të sezonit 2008-2009, kur barazuan 2-2 ndaj Hamburgut. Ai zëvendësoi Klosen në minutën e 80. Më pas humbi në sytë e Klinsmanit, duke u aktivizuar tre ndeshje për pak minuta. Në 2009-n erdhi “gjenerali” apo “diktatori” holandez, Van Gal. Gerland ia këshillon ta aktivojë Mylerin, ashtu siç ka bërë me Humels, Lahm apo Badshtuber. Van Gal i beson verbërisht, duke e aktivizuar në të 34-ta ndeshjet e sezonit. “Myler luan gjithnjë me mua”, – pati thënë Van Gal. Më 12 shtator 2009, Bajerni fiton 5-1 ndaj Dortmundit, Myler shënon dopietë duke bërë për vete jo vetëm landin bavarez, por gjithë Europën. Për të ishin dy golat e parë në Bundesligë. Në 2010-n, djaloshi nga fshati gllabëroi titullin, kupën dhe medaljen e argjendtë në Champions.
Kombëtarja dhe “Këpuca e Artë”
Trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, u tregua i vëmendshëm ndaj Mylerit, i cili më 3 mars 2010 debuton me humbje 0-1 në miqësore ndaj Argjentinës. Tre muaj para Botërorit 2010, Lëv e merr me vete në Afrikën e Jugut dhe Myler shënon gol në fitoren e parë 4-0 ndaj Australisë dhe në gjysmëfinale skualifikohet ndaj Spanjës, por në fund fiton “Këpucën e Artë” me 5 gola dhe tre asiste.
Pasuesi i Gerd Mylerit
Legjenda Gerd Myler (68 gola në 62 ndeshje) gjatë Botërorit 2010 pati shkruar për pasuesin e tij: “Çfarë kemi të përbashkët ne Mylerat? Ne zotërojmë instinkte goli, gjuajmë me të dyja këmbët dhe jemi ‘komshi’ me portën”. Por çfarë na dallon? Tomasi luan fleksibël, i gjithanshëm dhe kudondodhur, ndaj më pëlqen të luaj si sulmues i pavarur”.
Tripleta dhe kontratë të re
Në karrierën e djaloshit nga fshati më të njohur në botë ka pasur edhe “shuplaka”, në veçanti në 2012-ën. Për të dytën herë Bajerni mundet nga Dortmundi. Bajerni humb Champions-in 2012 në shtëpi dhe skualifikohet nga Italia në gjysmëfinale të EURO 2012. “Shuplakë” që pasohet nga suksesi: Pesë trofe në 2013-n dhe dopieta kombëtare në 2014-ën me Guardiolën. Teksa Van Gali e kërkoi te Junajtid, Myler rinovon deri në 2019-n. Nga një çun i ri nga fshati, ku angazhohej me stallën e kuajve dhe jetën rurale, Tomas Myler mbulohet me miliona, por përsëri nuk e humbi petkun e një djali të thjeshtë, të urtë dhe familjar. “Nuk kam nevojë të vallëzoj në tapetin e kuq, më mjafton të mbetem në zemrat e sportdashësve”, tha Myleri në intervistën me “gala.de”.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"