Mustedanagiç: Në sulm, t’u tregojmë vlerat Serbisë e Maqedonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2016 | 13:04

Mustedanagiç: Në sulm, t’u tregojmë vlerat Serbisë e Maqedonisë

Trajneri i kombëtares shqiptare U-17, Xhemal Mustedanagiç, ka dhënë një intervistë për “Supersport” gjatë zhvillimit të përgatitjeve në kuadër të kualifikueseve të Europianit 2017, të cilat do të zhvillohen në datat 26-31 tetor në Itali.

mustedanagic

Boshnjaku bën me dije se pavarësisht rivalëve në grup, Shqipëria do të luajë në sulm, një filozofi e preferuar prej tij.

“Filozofia ime është të luajmë gjithmonë në sulm dhe pavarësisht grupit të vështirë, që në fakt është më i forti që kam patur ndonjëherë që kur kam nisur punën si trajner. Megjithatë ne do të përpiqemi të japim maksimumin tonë nëpërmjet një loje të bukur, që të përfaqësojmë sa më mirë futbollin shqiptar.”

Në grupin kualifikues ku Shqipëria do të ketë përballë Italinë, Serbinë dhe Maqedoninë, Mustedanagiç kërkon që ekipi të tregojë më së miri vlerat në ndeshjet ndaj kundërshtarëve ballkanas.

“Ndeshjet me Serbinë dhe Maqedoninë janë përballje derbi me dy rivalë ballkanas që kanë skuadra cilësore. Ne do të përpiqemi të përfaqësohemi denjësisht duke treguar më të mirën e futbollit shqiptar.”

Ndërkohë sa i takon Italisë, trajneri e shikon atë si pretendenten kryesore për të fituar grupin, por duke qënë se më parë jemi ndeshur ndaj tyre, mund të na favorizojë për t’i përballuar më mirë.

“Me Italinë kemi luajtur dy herë vitin e kaluar, një herë jemi mundur dhe një herë kemi barazuar pa gola. Brezi me të cilin jemi përballur është ai që përbën tashmë dhe bërthamën e skuadrës italiane. Fakti që i njohim disi mund të jetë një plus më shumë, megjithatë Italia është favorit kryesor për fitimin e grupit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"