Mustedanagiç këshillon talentet e kombëtares U-17: Shfrytëzoni çdo mundësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2017 | 22:45

Mustedanagiç këshillon talentet e kombëtares U-17: Shfrytëzoni çdo mundësi

Kombëtarja U-17 e Shqipërisë është grumbulluar prej disa ditësh në Durrës nën drejtimin e trajnerit Xhemal Mustedanagiç. Kuqezinjtë e vegjël do të marrin pjesë në datat 25-30 prill në një turne miqësor që do të zhvillohet në Qipro dhe janë duke u përgatitur për një paraqitje sa më të mirë. Trajneri boshnjak ka grumbulluar 24 futbollistë, nga të cilët vetëm 20 do të marrë me vete në turne.

mustedanagic

Megjithatë në një intervistë për “Supersport”, Mustedanagiç shprehet se çdo lojtar duhet t’i vlerësojë më së miri këto grumbullime sepse në të ardhmen mund të ketë shansin për t’u bërë pjesë e kombëtareve U-21 apo asaj të parë.

Për përzgjedhjen e lojtarëve

“Unë mendoj se çdo lojtar duhet të jetë i kënaqur që është pjesë e ekipit kombëtar pavarësisht se më pas dikush prej tyre duhet të kthehet në shtëpi. Për momentin kam grumbulluar 24 lojtarë, 3 prej të cilëve portierë, gjithsesi dhe ata që do të largohen duhet ta shikojnë këtë si një mundësi për të ardhmen duke qenë se në muajin maj do të kemi dhe një tjetër turne të rëndësishëm si ‘Lazio Cup’.”

Për ecurinë e lojtarëve që dalin nga kombëtarja U-17

“Është shumë e rëndësishme që nga kombëtaret e moshave lojtarët të arrijnë të luajnë një ditë për U-21 ose kombëtaren e madhe. Aktualisht te U-21 ka 5-6 lojtarë që kanë ardhur nga U-17 dhe U-19, si Çekici apo Bare. Para pesë vjetësh kam thënë që pas 10 vjetësh Shqipëria do të bëhet një vend i rëndësishëm në futboll. Këtë gjë e arriti shumë shpejt, për 5 vjet, në momentin kur arriti të kualifikohet në Europian dhe kjo nuk është pak.”

Për rëndësinë e rezultateve në këtë moshë

“Në këto 6 vjet kemi qënë dy herë në Elite Round dhe nëse disa situata do të kishin qenë më të qarta për ne, do të kishim qenë dhe dy herë të tjera. Talentet duhen, por duhen dhe rezultatet, sepse dhe ato janë të rëndësishme.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"