Shkodran Mustafi, “blerja” e kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2014 | 13:00

Shkodran Mustafi, “blerja” e kombëtares

MustafiNjë tjetër shqiptar i rritur jashtë pritet të veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për Shkodran Mustafin, i cili luan aktualisht te Sampdoria në kampionatin italian. Burime të sigurta të “Panorama Sport” në Federatën Shqiptare të Futbollit pohojnë se mbrojtësi mund të grumbullohet së shpejti, madje që në miqësoren e radhës (nuk është vendosur ende se me cilën skuadër do të luajmë më 5 mars), pavarësisht se për të nuk kanë nisur ende procedurat për nënshtetësi shqiptare dhe më pas edhe për pasaportë. Mustafi ka lindur më 17 prill të 1992-it në Bad Hersfeld të Gjermanisë, në një familje shqiptare, me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë. Ai është rritur në akademitë e skuadrave amatore të FV Bebra dhe SV Rotenburg, para se të kalonte te Hamburgu. Por në 2009-ën Shkodran Mustafi u pikas nga vëzhguesit e Evertonit, të cilët e afruan fillimisht te skuadra e të rinjve dhe më pas edhe në skuadrën e parë. Mirëpo këtu nuk pati mundësi aktivizimi, ndaj në 2012-ën pranoi ofertën e Sampdorias, duke u bërë dalëngadalë një lojtar i formacionit titullar. Ndërkohë kujtojmë se ai është aktivizuar rregullisht me të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, duke filluar që nga U-16, U-17, U-18, U-19, U- 20 dhe tashmë U-21. Por duket se këtu do mbyllet cikli i tij te Gjermania, pasi vetë lojtari e ka pohuar para pak ditësh në një intervistë dhënë në mediat gjermane (“torgranate.de), se nuk pret ndonjë thirrje nga Kombëtarja e parë, ndaj me shumë gjasa do shikojë mundësinë e aktivizimit me Shqipërinë. “Nuk kam asnjë kontakt me Joakim Lëvin dhe, për të qenë i sinqertë, as që e mendoj se do më vijë një ftesë e tillë. Sakaq parashikoj në të ardhmen një aktivizim me Shqipërinë. Për momentin luaj me U-21 të Gjermanisë dhe do mundohem ta shijoj deri në fund këtë aventurë”, – deklaroi Mustafi. Duhet thënë se qendërmbrojtësi i Sampdorias është kontaktuar që para një viti nga trajneri Xhani De Biazi dhe, me shumë gjasa, në ditët në vijim do nisin edhe procedurat që ai të vishet kuqezi.

Edhe Cana loboi për Mustafin
Edhe kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, ka lobuar që Shkodran Mustafi të afrohet te Kombëtarja jonë. Gjatë ndeshjes së fazës së parë mes Sampdorias dhe Lacios, duel i cili u mbyll me rezultatin 1-1 (golin e Lacios e shënoi pikërisht Cana), kapiteni ka biseduar me mbrojtësin nga Gostivari, duke i kërkuar që të mos zgjidhte ekip përfaqësues tjetër përveç Shqipërisë. “Mos prano ftesa të tjera. Ti i duhesh Shqipërisë”, – i pat thënë, sipas mediave kosovare, Lorik Cana.

DE BiaziMerkato, De Biazi: Salihi mund të luajë në Zvicër
Hamdi Salihi mbetet në qendër të merkatos së Kombëtares shqiptare. Edhe pse ka pasur disa oferta të mira financiare nga skuadra në Shqipëri, gjithnjë nisur nga kushtet e Superiores, sulmuesi nuk ka pranuar, duke këmbëngulur se duhet të firmosë me një klub jashtë vendit. Këtë gjë e ka konfirmuar në njëfarë mënyre edhe trajneri i ekipit tonë kombëtar, Xhani De Biazi, i cili ka shkuar edhe më tej duke thënë se me gjasa Salihi mund të përfundojë edhe në Zvicër. “Salihi është një lojtar i rëndësishëm i Kombëtares sonë dhe, sipas meje, më mirë që nuk qëndroi në kampionatin shqiptar. Me gjithë respektin për lojtarët që luajnë këtu, vetë infrastruktura dhe niveli i lojës nuk i përshtatet një lojtari si Salihi. Uroj që ai të mund të gjejë sa më shpejt një skuadër dhe, me gjasa, kam përshtypjen se mund të përfundojë të luajë në kampionatin zviceran. Them se do të ishte i përshtatshëm për të”, – u shpreh De Biazi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, pas zborit të djeshëm në Kamzë. Tekniku ka qenë i pranishëm dje në qendrën e ekipeve kombëtare, i shoqëruar nga stafi i tij i përbërë nga Alban Bushi, Altin Lala dhe drejtori i ekipeve kombëtare, Redi Jupi. Ai ndoqi për gati 30 minuta seleksionimin me lojtarë të rinj të ardhur nga jashtë Shqipërisë, të gjithë të datëlindjes 1996, organizuar nga FSHF-ja. Megjithatë trajneri i U-19, Foto Strakosha, nuk mundi ta drejtojë këtë seleksionim deri në fund, pasi gjithçka u ndërpre për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Stërvitjet do të rinisin ditën e sotme në qendrën e ekipeve kombëtare, në Kamzë, duke filluar nga ora 10:00.
Rama premtoi mbështetje Tekniku i kuqezinjve ka dhënë një prononcim të shkurtër edhe sa i përket takimit të një dite më parë me kryeministrin Edi Rama. Së bashku me presidentin Duka, ata kanë folur me kreun e qeverisë më së shumti për çështjen e stadiumit. “Nga dje (pardje) nuk jam më i shqetësuar. Them se kemi marrë mbështetjen e qeverisë dhe stadiumi do të bëhet. Është një lajm i mirë, përndryshe do të ishte fatale për ne nëse do detyroheshim nga FIFA dhe UEFA që t’i luanim ndeshjet kualifikuese jashtë vendit”, – tha De Biazi. Sipas informacioneve, qeveria shqiptare do japë 1 milion euro për rikonstruksionin e “Ruzhdi Bizhuta”-s, ndërsa FSHF-ja 300 mijë dhe kombëtarja do spostohet në Elbasan, deri në ndërtimin e stadiumit të ri.

Çani pa ekip, rrezikon edhe Kombëtaren
Edgar Çani pritet të mos grumbullohet fare për miqësoren e radhës, e cila do të luhet më 5 mars (nuk është caktuar ende kundërshtari). Sipas informacioneve në federatë dhe në stafin e ekipit kombëtar, fakti që sulmuesi ka mbetur thuajse pa skuadër, duke qenë se edhe drejtuesit e Karpit e kanë nxjerrë jashtë liste, e bën që të rrezikojë seriozisht edhe grumbullimin me kuqezinjtë. Dhe natyrisht nëse kjo gjë do vijojë edhe më tej, pra nëse lojtari nuk do arrijë të gjejë një skuadër, ku jo vetëm të aktivizohet rregullisht, por edhe të shënojë, me gjasa karriera e tij me Kombëtaren do të mbyllet ende pa nisur ashtu si duhet.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"