Mustafaji është gati, trajneri Mile më i qetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2013 | 13:04

Mustafaji është gati, trajneri Mile më i qetë

Mustafaj ne dyluftim me TafajnShkumbini mbetet i fokusuar te Laçi, sfidë që do ta luajnë nesër në transfertë. Nisur edhe nga rëndësia që ka ky 90-minutësh, peqinasit janë duke e vlerësuar si një finale këtë përballje me kurbinasit. Situata në kampin bardhekaltër duket optimiste jo vetëm në aspektin moral, por edhe në faktin që në prag të kësaj sfide të rëndësishme grupi është i kompletuar. Madje, në dispozicion të trajnerit Kristaq Mile rikthehet edhe sulmuesi Mustafaji, i cili ka ezauruar pezullimin njëjavor dhe pritet që të jetë në fushë për këtë takim kaq të rëndësishëm në transfertë. Numri një i stolit, megjithëse shprehet i rezervuar, tregohet optimist në lidhje me këtë përballje ku, sipas tij, skuadra i ka shanset që të dalë me pikë të plota. Peqinasit mendojnë që të shfrytëzojnë faktin që kundërshtari është më shumë i përqendruar te finalja e kupës, se sa te javët e mbetura të këtij sezoni. Por, sipas teknikut beratas, ky fakt nuk duhet të shërbejë kurrsesi si një element nënvlerësimi, pasi ai e di shumë mirë që do të jetë një përballje mjaft e fortë. Stafi teknik pret jo vetëm pikët e plota nga skuadra, por edhe një hap fals të rivalit të tyre direkt, Besës. Kavajasit do të luajnë në Shkodër me Vllazninë dhe humbja e tyre do t’u jepte qetësinë e duhur bardhekaltërve. Vetëm në këtë mënyrë peqinasit mund t’i mbajnë ende ndezur shpresat për të mbijetuar në Superiore.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"