Mustafa dhe Selmani: Nuk kemi as Mesin dhe as Ronaldon, jemi të gjithë të bashkuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2017 | 14:46

Mustafa dhe Selmani: Nuk kemi as Mesin dhe as Ronaldon, jemi të gjithë të bashkuar

Ekipi Shpresa i drejtuar nga trajneri Alban Bushi do te kërkojë fitoren në “Elbasan Arena” ndaj Islandës për të mbajtur hapin e kryesuesve në Grupin 2 për kualifikueset e Europianit të 21-vjeçarëve. Në konferencën e ditës së sotme, për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për këtë përballje delikate kanë dalë portieri Gentjan Selmani dhe sulmuesi Valdrin Mustafa.

Selmani dhe Mustafa

Talentet kuqezi janë shprehur optimist për fitore dhe u bëjnë thirrje tifozëve që të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit për t’i mbështetur.

Mustafa dhe Selmani e vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin si dhe veçojnë si pikën më të fortë të Shpresave grupin. “Të gjithë jemi të bashkuar për një qëllim”, tregojnë futbollistët.

VALDRIN MUSTAFA

“E kemi shumë të mirë skuadrën me lojtarë që luajnë në Europë dhe në Shqipëri. Jemi përgatitur mirë prej një jave, jemi të përqendruar te ndeshja me Islandën për të dhënë maksimumin.

Mustafa

Ky është një grup i paparashikueshëm, pasi Sllovakia humbi me Islandën 2-0. Tani kemi shansin të fitojmë sërish me Islandën dhe të bëjmë një hap të madh përpara. Unë, ashtu si edhe shokët e ekipit, besojmë se mund të fitojmë.

Spanja ka një skuadër shumë të mirë. Por, Shqipëria, ashtu si Sllovakia dhe Spanja jemi ekipe mjaft të forta. Ne do të japim maksimumin me Shpresat dhe më pas do të shohim nëse e kemi kualitetin të luajmë edhe me Kombëtaren A.

Ne duam të marri tre pikë përballë Islandës. Edhe barazimi do të ishte një rezultat i mirë, por duke qenë se do të kemi shumë tifozë që do të na përkrahin, besoj se mund ta fitojmë ndeshjen.”

GENTJAN SELMANI

“Mungesat janë të rëndësishme, por jemi grup dhe besoj se ekipi është më i rëndësishëm se një apo dy individë. Do të japim maksimumin, që të bëjmë më të mirën.

Selmani

Është një ndeshje shumë e fort, por jemi përgatitur mirë për të marrë tre pikët. E rëndësishme është të bëjmë lojë të bukur dhe të fitojmë me mbështetjen e tifozëve në Elbasan.

Kundërshtarët janë shumë të fort në goditjet standarde. Aty i kanë pikat më të rëndësishme, sepse kanë skemat e tyre dhe shfrytëzojnë shtatlartësinë.

Ne nuk kemi as Mesin dhe as Ronaldon në ekip dhe pika jonë e fort është grupi. Të jemi të gjithë të bashkuar për Kombëtaren. Tifozët duhet të vijnë. Ne besojmë se do të fitojmë me Islandën, të japim maksimumin për mbështetësit edhe për fanellën e Kombëtares.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"