Musta: Viti i Flamurtarit, Skënderbeu është dobësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 14:56

Musta: Viti i Flamurtarit, Skënderbeu është dobësuar

Emiljano Musta mendon se ky Flamurtar është pretendent për titull, por si për të ulur euforinë, përsërit frazën standarde se ndeshjet duhet që të merrem me radhë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Musta deklaron se beson te suksesi i këtij grupi. Sipas Mustës, në ndeshjen me Skënderbeun, Flamurtari do të kërkojë fitoren.

Musta

Si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Flamurtarit?

Ekipi është në rrugë të mbarë deri në këto momente. Shpresojmë të vazhdojmë kështu, edhe pse është akoma java e tretë e kampionatit. A mendoni se ky Flamurtar është pretendent për titull këtë sezon? Flamurtari është gjithmonë pretendent për titull, por është akoma herët për të shpallur objektiva, pasi çdokush e do titullin, mirëpo për ta arritur duhet vazhdimësi nga java në javë.

Ju keni qenë edhe sezonin e shkuar, çfarë ka ndryshuar te ky Flamurtar i këtij viti?

Ekipi ka ndryshuar në masën 80%. Normalisht që çdo vit është i ndryshëm nga tjetri, pasi edhe lojtarët nuk janë të njëjtët. Shpresoj që ky të jetë viti i Flamurtarit dhe të triumfojmë në fund.

Si i vlerësoni afrimet e këtij sezoni?

Normalisht që janë afruar lojtarë cilësorë, të cilët kanë lënë gjurmë në kampionatin shqiptar. Shpresoj që të përshtaten sa më mirë edhe këtu te ne.

Në Peqin luhet ndeshja e Kupës së Shqipërisë, çfarë prisni prej saj dhe a e ka Flamurtari objektiv këtë kompeticion?

Këtë mesjavë fillon Kupa dhe normalisht që besoj që do mundohemi t’i shkojmë deri në fund çdo kompeticioni ku marrim pjesë. Pse jo, edhe t’i fitojmë ata. Sigurisht që edhe Kupa është një objektiv i yni.

musta

Po ndeshjen me Skënderbeun si e vlerësoni, mendoni se mund ta fitoni?

Ndeshja me Skënderbeun është e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja, pasi kampionati sapo ka filluar dhe në çdo javë kërkohet fitorja. Normalisht që do kërkojmë fitoren me çdo kusht, por janë të tria rezultatet brenda përderisa luajnë dy ekipet më të mira në Shqipëri dhe më në formë për momentin.

Çfarë ka ndryshuar te Skënderbeu dhe a mendoni se do e keni më të lehtë në krahasim me vitet e shkuara?

Nga vjet, Skënderbeu mendoj se është dobësuar pak në organikë pas largimeve të lojtarëve me peshë në ekip. Megjithatë, edhe zëvendësimi i tyre është bërë në mënyrë mjaft të mirë dhe rezultatet deri tani e kanë treguar që janë akoma një ekip mjaft cilësor dhe pretendent kryesor. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë, aq më tepër kundër Skënderbeut, por ne do të hyjmë për ta fituar ndeshjen.

Personalisht, si ndiheni që rinovuat me Flamurtarin?

Jam munduar të jap më të mirën te Flamurtari në vitin e kaluar dhe ndihem i vlerësuar nga drejtuesit dhe presidenti që arritëm në një marrëveshje të përbashkët, në mënyrë që të vazhdoj në Vlorë. Personalisht, shpresoj që kjo të zgjasë akoma më shume vite, pasi ndihem shumë mirë këtu dhe jemi si një familje e madhe.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"