Musta nostalgjik para Teutës: Nëse shënoj, nuk do të festoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 15:19

Musta nostalgjik para Teutës: Nëse shënoj, nuk do të festoj

Emiljano Musta do të rikthehet këtë fundjavë në Durrës, por me statusin e “ish”-it. Mesfushori nga Elbasani, përtej nostalgjisë që ka për ato 2 vite te Teuta, e thotë qartë se kërkon tri pikët me kuqezinjtë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai zbuloi se i ruan ende marrëdhëniet e mira me disa futbollistë të rivalit të kësaj fundjave, ndërsa thotë se nuk do të festojë nëse shënon.

Musta

Musta, këtë fundjavë riktheheni si “ish” në Durrës. Si ndiheni?

Është e vërtetë që luaj përballë ekipit ku kam luajtur në këto dy vitet e fundit. Dhe se si do të ndihem, nuk di të them, pasi kurrë nuk më ka ndodhur. Por më duhet ta pranoj se emocione ka, por edhe nostalgji.

Cili është vlerësimi juaj për Teutën?

Teuta e ka nisur mjaft mirë sezonin. Dy ndeshje, dy fitore dhe kjo është për t’u vlerësuar. Trajnerin e kanë shumë të mirë. Unë kam punuar dy vite me profesor Maganin. Është një ndeshje si të gjitha të tjerat, shumë e rëndësishme dhe duhet që t’i bëjmë hyzmetin deri në fund.

A i ruani ende marrëdhëniet me ndonjë nga lojtarët e durrsakëve?

Normalisht që po, herë pas here flasim dhe i uroj për fitoret. Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Por më shumë flas me Hilën dhe Shehin, të cilët janë patriotët e mi, pasi të dy janë nga Elbasani.

Mendoni se do të jetë Flamurtari ekipi që do ta ndalë Teutën në këtë fillimsezoni?

Flamurtari është një ekip që në çdo fushë shkon për të fituar, ndaj edhe në Durrës me këtë “mision” shkojmë. Skuadra jonë nuk ka për qëllim që të pretendojë vetëm fitoren në shtëpi. Flamurtari është emër i madh i futbollit shqiptar dhe kudo që shkon do pretendojë maksimumin e pikëve.

A do festonte Musta në rast se do shënonte në “Niko Dovana”?

Është diçka për të cilën nuk di të jap dot përgjigje. Të shohim. Por, nuk e besoj se do të festoj.

Cili mbetet sipas jush objektivi i Flamurtarit këtë sezon?

Objektivi për Flamurtarin është ndeshja e radhës. Duhet të marrim javët një e nga një dhe nëse i kemi pikët e duhura, gjithçka do të shikohet. Llogaritë do i bëjmë në fund të kampionatit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"