“Musketieri” i Jonuz, Gurishta: Asnjë pishman që s’ika te Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2019 | 16:30

“Musketieri” i Jonuz, Gurishta: Asnjë pishman që s’ika te Partizani

Erdenis Gurishta është një nga “Tre Musketierët” e Mirsad Jonuz. Në këto 7 javë, ai nuk ka humbur asnjë sekondë lojë. Së bashku me Alen Sherrin dhe Dajan Shehin, janë të vetmit futbollistë që numërojnë 630 minuta në fushën e lojës.

Gurishta

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbrojtësi analizon nisjen e këtij sezoni, por nuk ngurron që t’i japë edhe një mesazh Partizanit që e kërkonte me ngulm gjatë merkatos së verës. Kreun e renditjes nuk e kishte menduar, ndërsa saktëson se taktika e lojës që ndryshon vazhdimisht është “çelësi” i këtij suksesi.

Janë luajtur 7 javë dhe jeni bashkëkryesues, e priste Erdenisi këtë start?

Është një nisje më shumë se e mirë, por nuk mund të them nëse e prisja. Besim tek ekipi dhe te ky grup kam pasur që në fillim, por të jem i sinqertë, trepikëshi i fituar ndaj Kukësit na dha zemër. Prej asaj fitoreje jemi këtu. Kemi lënë pikë ndaj Luftëtarit, që mund t’i kishim marrë dhe po i “qanim” ato. Por fituam me Kukësin, pikë që mund të mos i kishim marrë. Të paktën jo të gjitha.

Doni të thoni se do mjaftoheshit edhe me barazim?

Po, edhe një barazim do të na kënaqte. Por fitorja them se është shpërblim i pikëve të lëna ndaj Luftëtarit. Starti nuk kishte si të ishte më i mirë se kaq. Edhe pse rivaliteti realisht është i madh dhe diferencat janë shumë të vogla.

Reflektoni më shumë siguri dhe besim…

Normalisht! Kur ke rezultatet në krahë, edhe besimi vjen gjithnjë e në rritje. Atmosfera ka qenë shumë e mirë, por tani është shumë herë më e mirë.

vllaznia

Cili është “çelësi” i transformimit të kësaj Vllaznie?

Ne po punojmë shumë, stërvitemi fort dhe mbi të gjitha kemi harmoni në grup. Merita pa asnjë diskutim shkon e gjitha për trajnerin. Ai përveçse është shumë i përkushtuar në çdo seancë stërvitore, studion çdo kundërshtar deri në detaje. Skemat tona janë gjithnjë në varësi të ekipit më të cilin do të ndeshemi. Madje, thuajse në çdo takim ne kemi luajtur ndryshe, nuk kemi pasur kurrë të njëjtën taktikë loje. I jemi përgjigjur kundërshtarit në lojën e tij. Pastaj, skuadra po tregon grintë dhe shumë dëshirë. Këto mendoj se janë faktorët që na kanë çuar drejt suksesit.

Javën e ardhshme prisni Partizanin, si i bëni llogaritë për këtë 90-minutësh… vetëm me fitore apo me barazim?

Nuk ka asnjë takim të lehtë. Çdo skuadër është e fortë dhe për t’u mundur. Duhet që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe mbi të gjitha të mos futemi nën presion. Tifozët pas kësaj ecurie kanë filluar që të na thonë: “Jeni për Europë, mundësitë i keni…”. Por, objektivat do të shihen më vonë. Nuk duhet që të futemi në stresin e Europës, por të luajmë siç po luajmë. Të marrim më të mirën në takimin e radhës dhe kaq. Këto do të kërkojmë edhe ndaj Partizanit. Do zbresin në fushë më të angazhuar se kurrë për maksimumin.

Gjatë merkatos së verës, “demat” ju kërkuan me ngulm, por Vllaznia ju blindoi. Ju ka mbetur peng që nuk u realizua kurrë ai transferim?

Jo. Jam pjesë e Vllaznisë dhe për këtë ndihem më shumë se i lumtur. Jam i angazhuar që të jap më të mirën. Pastaj, nuk i dihet se ku mund të jem në të ardhmen… Ishte diçka që nuk u realizua në verë, ndaj tani jam i përqendruar që të jap më të mirën për këtë fanellë dhe për këto ngjyra.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"