Murinjo: U solla shumë mirë këtë vit, e meritoja unë çmimin e Pepit. Reali i ka kyçur derën Ronaldos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2018 | 17:34

Murinjo: U solla shumë mirë këtë vit, e meritoja unë çmimin e Pepit. Reali i ka kyçur derën Ronaldos

Zhoze Murinjo e ka përshkruar një rikthim të mundshëm të Kristiano Ronaldos te Mançester Junajtid si një “derë të mbyllur”, e cila nuk do të hapet kurrë nga Reali i Madridit. Trajneri portugez punoi me yllin e Realit në “Bernabeu” gjatë 2010-’13, ku ata fituan titullin dhe Kupën e Mbretit. Por gjatë një interviste për portugezen “Record”, ai beson se presidenti i Realit, Florentino Perez, nuk do ta lëshojë sulmuesin 33-vjeçar, pavarësisht se përflitet prej vitesh një rikthim i tij në “Old Trafford”.

Murinjo Guardiola

“Unë besoj se Reali i Madridit nuk do ta shesë. Është e ndaluar. Ai do të qëndrojë derisa ata ta autorizojnë që të largohet dhe ai të shkojë të luajë një vit në SHBA apo diku tjetër ku ai dëshiron që të shkojë. Është një derë e mbyllur”, thotë trajneri i “djajve të kuq”. I pyetur nëse ekziston ndonjë shans që ai të rikthehet një ditë në Mançester, Mou shton:

“Nuk mendoj, por të gjithë njerëzit e dinë historinë e tij në Mançester, pasionin që ata kanë për të dhe ka disa lojtarë në botë, të cilët nëse klubi ka shansin për t’i transferuar, nuk do të thoshte ‘jo'”. Kështu që 55-vjeçari këmbëngul se Junajtid as që e ka marrë në konsideratë për të përgatitur një ofertë për “Topin e Artë”.

Real Madrid v Manchester United: UEFA Super Cup

SPECIALI – Murinjo, kur shkeli për herë të parë në Angli në “Stamford Bridge”, u vetëprezantua me nofkën “Speciali”. Në rikthimin e tij të dytë në Premier Ligë, tha: “Tani më quani ‘I pjekuri'”. Megjithatë, ai pranon se gjithmonë do ta shoqërojë nofka e parë. Një nofkë, të cilën ai është gati ta dorëzojë…

Por kujt? “Nëse një trajner i ri portugez do të fitojë gjysmën e asaj që kam arritur unë, atëherë unë i jap lejen që të quhet ai ‘Speciali'”, thotë me shaka Mou, i cili nuk e kursen një tjetër batutë në lidhje me çmimin e trajnerit më të mirë të sezonit në Angli, fituar nga rivali i tij i Sitit, Pep Guardiola: “Po bëja shaka me shtypin anglez se këtë vit duhet të isha shpallur unë më i miri, për shkak të sjelljes së mirë që kam pasur në stol.

Murinjo

Nuk mora asnjë gjobë, asnjë pezullim…”. Në vitin 2021, kontrata e tij me Junajtid do të skadojë. Por a do të jetë ky momenti i duhur për të marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij? “Për pak sa nuk shkova një herë, por Perezi nuk më lejoi sepse nuk mendonte se pozicioni i trajnerit të Realit përputhej me atë të kombëtares.

Do ta marr në konsideratë vetëm kur të lodhem nga puna e përditshme, nga tri ndeshjet në javë, nga 7 stërvitjet në javë nga një muaj fazë përgatitore, gjëra që nuk më lodhin në këto momente”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"