Murinjo, presion rivalëve dhe do Muriqin: Kanë frikë nga Totenhemi im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 19:56

Murinjo, presion rivalëve dhe do Muriqin: Kanë frikë nga Totenhemi im

“Jam më i fortë. Jam mjaftueshëm modest për të analizuar karrierën time”. Me këto fjalë u prezantua Zhoze Murinjo në konferencën e parë për shtyp në stolin e Totenhemit më pak se një muaj më parë. Portugezi tha se ka reflektuar pas shumë gabimeve që ka bërë gjatë karrierës së tij pas shkarkimit nga Mançester Junajtid dhjetorin e shkuar, për t’u bërë më i mirë.

murinjo

Por a ia doli “Speciali” me të vërtetë? Fjalët e tij pas vërshëllimës finale të sfidës me Bajernin në Champions konfirmojnë se ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron.

Trajneri luzitan i ka drejtuar “Spërsat” dy herë këtë sezon në Champions, duke fituar tri pikët vendimtare për të siguruar 1/8-at me përmbysjen kundër Olimpiakosit (4-2), pas së cilës erdhi humbja në fushën e Bajernit (3-1), por që nuk vendoste për fatet e renditjes së nënkampionëve të Europës, të cilët u renditën të dytët dhe në shortin e të hënës rrezikojnë një mes Barcelonës, Juves, PSG-së, Valencias apo Lajpcigut.

“Mendoj se asnjë skuadër e vazos së parë nuk do dojë të luajë kundër nesh. Jemi një nga ekipet më të forta të Vazos 2”, tha 56-vjeçari pas ndeshjes.

MURIQI 

Gazeta turke “Milliyet” raportonte një ditë më parë se Totenhemi ka shtuar interesin për sulmuesin e Fenerbahçes dhe kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi. Autori i 10 golave në 14 ndeshje për gjigantët e Stambollit ka shënuar edhe 8 gola në 23 ndeshjet me kombëtaren, përfshirë atë kundër Anglisë në humbjen 5-3 në kualifikuesen e “Euro 2020” në shtator.

Muriqi

Sipas “Milliyet”, “Spërsat” e kanë monitoruar disa herë 25- vjeçarin gjatë këtij sezoni. Muriqi ka një kontratë deri në vitin 2023 dhe kartoni i tij kushton rreth 18 milionë paund. Për shërbimet e bomberit interesohen edhe Mançester Junajtid dhe Bornmëthi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"