Murinjo lëshon alarmin, në depresion para Totenhemit: Nuk shoh njerëz të lumtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2018 | 13:00

Murinjo lëshon alarmin, në depresion para Totenhemit: Nuk shoh njerëz të lumtur

Një fitore në start me Leiçesterin dhe një humbje në sfidën e dytë përballë Brajtonit, por Mançester Junajtid rrezikon që ta mbyllë edhe javën e tretë të Premier Ligës me një tjetër zhgënjim, të paktën duke parë atmosferën që mbizotëron në pritje të supersfidës së “Old Trafford”-it, kundër Totenhemit. Zhoze Murijno nuk ngurron që të lëshojë alarmin, por ndoshta deklarata e tij është e transformuar për të ruajtur ndoshta veten, duke qenë se ai nënvizon se nuk sheh më lojtarë që kanë dëshirë për të luajtur përreth tij, por ndoshta ai më shumë se kushdo tjetër është fajtori për këtë situatë.

murinjo 2

Në pritje të duelit me “Spërs”-at, Junajtid duket i kapur nga depresioni, por telashet sa vijnë e shtohen. Sikur të mos mjaftonte çështja “Pogba”, i cili vazhdon të zbresë në fushë, por në të njëjtën kohë pret largimin deri më 31 gusht, apo shkëndijat dhe krisja që ka ndodhur mes Murinjo dhe shefit të klubit, Ed Uduard, së fundmi shtohet një tjetër telash për “Djajtë e kuq”. Së fundmi, edhe portieri David De Gea ka vendosur që të rebelohet, ndoshta si rrjedhojë e deklaratës që trajneri portugez shpenzoi ndaj tij pas humbjes me Brajtonin (“De Gea pas kësaj ndeshjeje vlen 0 euro”), duke qenë se portieri spanjoll u ka nënvizuar drejtuesve se nuk do të rinovojë kontratën me ta.

E gjithë kjo situatë ka shtyrë Zhoze Murinjon që të “mbrohet” në pritje të Totenhemit dhe ndoshta të paralajmërojë një humbje “të justifikueshme”. “Më vjen keq ta pranoj, por duket qartazi se nuk ka lojtarë të lumtur në skuadrën time. Kam mjaftueshëm përvojë në këtë ambient për të kuptuar ndjesitë e burrave që stërvit, aq më shumë kur skuadra vjen edhe pas një humbjeje që djeg shumë, si ajo me Brajtonin.

Më vjen keq ta ritheksoj, por më duket se nuk kam në grup asnjë që ka dëshirë të luajë, të luftojë për të fituar. Na pret një sfidë me Totenhemin dhe do të shpresoja shumë që të gabohesha. Kërkoj që të japim të gjithë një reagim të fortë, sepse jam i bindur që nëse fitojmë me Totenhemin, do të jemi të gjithë një skuadër tjetër”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"