Murinjo kundër trajnerit të Kombëtares: Më dëmtoi Fill Xhonsin, unë jam naiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2017 | 15:06

Murinjo kundër trajnerit të Kombëtares: Më dëmtoi Fill Xhonsin, unë jam naiv

Pol Pogba dhe Zlatan Ibrahimoviç janë një hap larg rikthimit në dispozicion të Mançester Junajtid. Dhe sipas “The Sun”-it, yjet e Zhoze Murinjos mund të grumbullohen që në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Njukasëllit. “Djajtë e kuq” kanë qenë pa shërbimet e mesfushorit francez dhe sulmuesit suedez prej një kohe të gjatë.

murinjo fil xhons

Por sipas tabloidit britanik, tekniku portugez mund t’i surprizojë të gjithë në ndeshjen e radhës, duke i ulur lojtarët e tij në stol që ditën e nesërme, gjatë sfidës në “Old Trafford”. Pogba është jashtë që prej muajit shtator, pas tërheqjes muskulore që pësoi në ndeshjen e Champions-it kundër Bazelit gjatë një dyluftimi me Taulant Xhakën.

Ndërsa rikthimi i francezit duket më i sigurt, ai i Ibrës është më në dyshim, duke marrë parasysh se 36-vjeçari vjen pas dëmtimit të rëndë në ligamentet e gjurit në prill të këtij viti, gjatë ndeshjes kundër Anderlehtit në Ligën e Europës. Por në një intervistë për “Sky Sports”, Zhoze Murinjo konfirmon se suedezi do të rikthehet vetëm brenda këtij viti:

“Ai është një luan, një luftëtar. Ai ka brenda zemërim, prandaj është thuajse një hap larg rikthimit. Siç e dimë, ka djegur etapat e një riaftësimi madhështor dhe pritet të kthehet brenda 2017-ës”. Portugezi ka akuzuar edhe trajnerin e kombëtares angleze, Garet Sauthgejt, për dëmtimin e mbrojtësit të tij Fill Xhons në miqësoren ndaj Gjermanisë, të premten e shkuar.

“Sigurisht që Fill Xhons kishte një problem prej 3 javësh që e ndali për të luajtur për klubin e tij. Pastaj ai luajti për Junajtid në kushte ekstreme, sepse ndaj Çelsit ishte një ndeshje e rëndësishme. Më pas ai shkon në kombëtare dhe kthehet me një dëmtim të vjetër. Ka disa klube të tjera që i tërheqin lojtarët e tyre prej një problemi në thoin e gishtit, pak grip, një problem me gishtin e vogël dhe shijojnë pushimin.

Pastaj, janë gjithnjë klubet e tjera, trajnerët e të cilave janë naive, shumë të sinqertë dhe u thonë lojtarëve që duhet të shkojnë në kombëtare dhe ndonjëherë paguajnë çmimin. Dua të shoh këtë fundjavë, nëse këta lojtarët e tërhequr nga kombëtarja, do të luajnë apo jo me klubin, Drinkuotër? Delf? I vetmi që nuk do të luajë është Fill Xhons”.

ANGLIA

Portugezi mendon se Anglia mund të shpallet kampione bote në Rusi verën e ardhshme dhe se në turneun e ardhshëm nuk do të kemi surpriza:

“Mendoj se Anglia e ka një shans, sepse ka lojtarë shumë të mirë. Ka një brez të shkëlqyer me cilësi dhe moshë të ndryshme. Kanë goxha përvojë me klubet e tyre në Premier Ligë dhe Champions. Anglia ka potencial të shkëlqyer për të bërë diçka të rëndësishme. Në Amerikën e Jugut ka disa skuadra të rëndësishme. Në Europë, e njëjta gjë, 3-4 katër kombëtare, kështu që nuk mendoj se verën e ardhshme do të kemi ndonjë surprizë të madhe.”

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"