Murinjo nis me “tris”, Kosta debuton me gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2014 | 9:30

Murinjo nis me “tris”, Kosta debuton me gol

Kosta dhe ShyrleÇelsi i Murinjos e nis me një tregolësh, ndonëse minutat e para kundër të sapongjiturve të Bërnlejt janë të frikshme. Disavantazh pas vetëm 14 minutash lojë, por kur Diego Kosta dhe Shyrrle ndizen, blutë e Londrës lëshojnë shkëndija, duke barazuar, përmbysur dhe blinduar fitoren që në pjesën e parë dhe e gjitha kjo për 17 minuta të tjera, një spektakël i firmosur… Murinjo. Ndeshja – Pasi panë Arsenalin, Liverpulin dhe Sitin që fituan me vështirësi dhe akoma më keq Junajtid që humbi, Bërnlej besonte se mund t’ia vështirësonte gjërat Çelsit dhe pas 14 minutash ajo ndodhi. Blutë përfundojnë në disavantazh, kur Tejlor në minutën e 14-të pason për Arfild që “shpon” Kurtuanë nga pozicion diagonal. Bërnlej i dhuron “një dush të akullt” Murinjos, të cilit i mjafton një ulërimë për të ndezur skuadrën e tij. Kalojnë vetëm tre minuta dhe barazimin e ofron blerja e madhe sivjet, Diego Kosta, që me të majtën shënon golin e parë zyrtar për anglezët. Por avantazhi është një mrekulli, një aksion magjik, dhe vjen 4 minuta pas barazimit; Ivanoviç nis në zonë Fabregasin, që mbështet menjëherë në qendër për Shyrrlen dhe 2-1. Çelsi dëfren të gjithë, edhe tifozët e dorëzuar të Bërnlejt, të cilët do t’u përulen “trupës” së portugezit në minutën e 34-t, kur Ivanoviç do tundë për herë të tretë rrjetën, pasi ishte harruar i vetëm në zonë, në rastin e goditjes së këndit të Fabregasit. Pjesa e dytë nuk ka shumë histori, Çelsi administron, më saktë e vë në gjumë ndeshjen dhe në fund shifrat finale nuk do të ndryshojnë, pasi Murinjos dihet, i mjaftojnë pikët, jo loja e bukur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"