Murinjo dorëzohet para kohe përballë Guardiolës: Trofeu ynë është… vendi i dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2018 | 11:09

Murinjo dorëzohet para kohe përballë Guardiolës: Trofeu ynë është… vendi i dytë

Duket e pamundur të shohësh një Zhoze Murinjo të dorëzuar që në fillim të shkurtit për një trofe, për të cilin është në lojë (matematikisht), por këtë herë edhe “Special One” gjunjëzohet përballë forcës së skuadrës së Pep Guardiolës, ndonëse nuk harron që t’i thumbojë ata. Prandaj, në konferencën për shtyp në pritje të ndeshjes kundër Hadërsfilldit, të cilët u shkaktuan surprizën e parë të keqe “Djajve të kuq” në fazën e parë, duke i mundur 1-0, trajneri portugez i bën thirrje skuadrës për të ruajtur vendin e dytë, pasi ky pozicion shndërrohet në “titullin” e tyre të Premier Ligës, si rrjedhojë e diferencës prej 15 pikësh nga kryesuesit e Mançester Sitit.

murinjo-470x305

“Tani e deri në fund të kampionatit do na duhen pikë për të qenë të parët, por duke nisur nga pozicioni poshtë kryesuesve. Duhet të përpiqemi në të gjitha mënyrat ta mbyllim kampionatin në vendin e dytë, pozicion që e kemi mbajtur nga java e parë e aktualisht që flasim. Që nga javët e para kemi qenë ne skuadra e renditur pas Mançester Sitit dhe nuk kemi qenë kurrë në vend të katërt, pestë ose gjashtë. Na takon ta mbrojmë këtë pozicion. Edhe pse nuk mund të mburremi me vendin e dytë, të paktën do të limitojmë dëmet.

Sa e vështirë është që të dorëzohesh që në shkurt për titullin e Premier Ligës? Faktet tregojnë se Mançester Siti ka qenë superior që në fillim, duke vendosur një seri të gjatë fitoresh. Por në të njëjtën kohë, ata kanë qenë edhe shumë me fat, diçka e rëndësishme në futboll, sepse në disa raste kanë fituar edhe ndeshje që nuk kanë merituar t’i fitojnë. Dhe kur ke të gjithë këtë ‘bagazh’ fati me vete, është normale që në fund të fitosh edhe kampionatin.

murinjo guardiola

Gjithsesi, duke dalë nga kjo temë, unë di të them se skuadra ime është përmirësuar shumë në krahasim me një sezon. Madje, nëse nuk do të kishte qenë për Sitin, me këtë mesatare pikësh dhe këto që ne kemi aktualisht, në çdo vit tjetër do të ishim ende në luftë të ashpër për titullin kampion, por ‘kushërinjtë’ kanë ecur me një tjetër ritëm.

Madje, mesatarja e tyre e pikëve ka bërë që edhe Totenhemi, Liverpuli dhe Çelsi, që kanë ecur mjaft mirë deri tani, të duken sikur kanë bërë një kampionat mesatar. Hadërsfilldi? Në fazën e parë na goditën rëndë, janë pikë që vlenin për titullin dhe që ne i kemi lënë rrugës, por këtë herë duhet t’i mundim për vendin e dytë”, përfundoi Murinjo.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"