Murinjo citon filozofin gjerman, vijon “lufta” me gazetarët: Jam më i miri në botë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2018 | 13:19

Murinjo citon filozofin gjerman, vijon “lufta” me gazetarët: Jam më i miri në botë

Zhoze Murinjo ripërsërit konceptin e tij në konferencën për shtyp. Speciali, pasi kërkoi respekt, rikthehet të rrahë gjoksin për sukseset e tij. Trajneri i Junajtid mbrojti bilancin e tij në stolin e “djajve” dhe këmbënguli se ai mbetet një prej trajnerëve më të mirë në botë. Portugezi është kryqëzuar nga shtypi pas startit të dobët të sezonit, që e ka parë Junajtid të humbasë me Brajtonin përpara se të poshtërohej edhe në shtëpi nga Totenhemi. Por, Mou u prezantua luftarak përpara ndeshjes me Bërnlejn, duke thënë se sukseset e tij në të shkuarën nuk e bëjnë krahasimin me rivalët si Klop apo Poçetino diçka të drejtë.

murinjo

“Unë jam trajneri i një prej klubeve më të mëdha në botë, por jam gjithashtu një prej trajnerëve më të mëdhenj në botë”. I pyetur nëse do guxonte ta thoshte diçka të tillë, nëse do të dështonte që të fitonte një titull kampion me Junajtid, ai u përgjigj: “Sigurisht! A ua bëni një pyetje të tillë edhe trajnerit që u rendit i treti në Premier Ligë sezonin e shkuar apo trajnerit që u rendit i katërti dhe i pesti? Unë isha shumë i suksesshëm sezonin e shkuar. Kjo është ndoshta ajo që ju nuk doni ta pranoni. Unë e analizoj vetë performancën dhe për mua ka më shumë rëndësi ajo që unë mendoj dhe jo ju.

Ne jemi skuadra e fundit në Angli që triumfoi në Europë. Unë kam fituar 8 tituj kampion. Jam i vetmi trajner që kam fituar në Itali, Spanjë dhe Angli. Dhe duke fituar 8 tituj, jo tituj dosido dhe në vende të vogla, por në kampionate të vërteta, vendi im i dytë i sezonit të shkuar është një nga arritjet e mia më të mëdha në karrierë. Nuk jeni dakord? Keni të drejtë të mos jeni. Por, ky nuk është një problem për mua”. 55-vjeçari citoi edhe filozofin gjerman Hegel, kur mbrojti bilancin e tij: “A lexoni filozofi? Thjesht për t’iu marrë Hegelin si një shembull: ‘E vërteta është në tërësi'”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"