Murinjo-Alegri, “armiqtë” me 38 trofe/ I ndan tripleta! Të ngjashëm në fushë, por të ndryshëm jashtë saj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 14:30

Murinjo-Alegri, “armiqtë” me 38 trofe/ I ndan tripleta! Të ngjashëm në fushë, por të ndryshëm jashtë saj

Një tifoz romanist, duke bërë shaka, ndoshta edhe duke e tepruar, tha: “Unë dhe Bred Pit kemi pasur mes nesh 700 gra. Vetëm se 699 ishin të tijat”. Një batutë që i qëndron jo keq edhe krahasimit të trofeve të Maks Alegrit dhe Zhoze Murinjos. Nëse në Itali, juventini mbrohet dhe mund të thotë fjalën e tij, diferenca në rendimentin europian është sa një humnerë: Alegri ka shkuar vetëm dy herë në finalen e Champions-it dhe numrin e fitoreve e ka zero.

MOU 1

Mou e ka fituar dy herë këtë trofe, por edhe Kupën UEFA (apo Ligën e Europës). Dhe jo vetëm. Nëse Alegri, mes stolit të Milanit dhe Juves ka fituar vetëm në Itali dhe i është afruar dy herë tripletës, portugezi ka fituar në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali dhe tripletën e ka bërë të tijën pikërisht këtu, në 2010-ën me Interin, duke i rrëmbyer si për ironi ekipit që drejton sot, titullin dhe Kupën e Italisë.

FITIMTARË

Për pjesën tjetër, ata duken sikur kanë shumë pika të përbashkëta, në radhë të parë, duke qenë fitimtarë dhe duke i besuar më shumë cilësisë së lojtarëve në dispozicion sesa thjesht taktikës. Hera e fundit që janë përballur ishte viti 2018. Italiani stërviste Juven e parë prej disa vitesh, ndërsa luzitani Junajtidin. Fituan anglezët me përmbysje dhe Mou bëri gjestin “e veshit” në Torino. Të dy e vlerësojnë njëri-tjetrin padyshim, por simpatia reciproke është një tjetër gjë, që kur njëri stërviste Kaljarin dhe tjetrin Interin dhe çmimin e trajnerit më të mirë e fitoi i pari. SHIFRAT Në total janë përballur 8 herë. Gjysmën e tyre Mou ka marrë më të mirën, ndërsa Alegri ka fituar në vetëm dy raste dhe po aq janë barazimet. Trajneri toskan është mes senatorëve në Serinë A me 401 ndeshje dhe një mesatare pikësh për ndeshje 2.03. Mou ka 83 ndeshje dhe një mesatare pak më të lartë pikësh, 2.18. Portugezi ka fituar 25 trofe, Maks praktikisht gjysmën (13) dhe të dy së bashku kanë fituar ¾-at e të gjithë trofeve të trajnerëve aktualë në kampionat. Portugezi ka fituar me Porton, Çelsin, Junajtidin, Interin dhe Realin. Alegri vetëm me Juven dhe Milanin. Të dy nuk kanë stërvitur kurrë një kombëtare.

FAMILJA

Shumë e ndryshme edhe historia e tyre familjare. Zhoze është i martuar prej vitesh me Matildën, kanë dy fëmijë dhe një jetë private shumë larg tabloideve (me përjashtim të ndonjë thashethemi për tradhti), ndërsa Alegri, prej vitesh bën të flitet për të brenda dhe jashtë fushe. Edhe ai ka dy fëmijë, me një histori martese pas krahëve që praktikisht u shndërrua në një legjendë, ndërsa prej disa ditësh flitet edhe për një ndarje me Ambrën. Ajo, mes mijëra polemikave, mori “Tapirin” e emisionit “Striscia la Notizia”. Ai i përqendruar duket vetëm në ndeshjen e së dielës mbrëma. Është ndeshja që Mou mund ta komentojë edhe në “Instagram”, i cili i pëlqen dhe e argëton shumë, ndryshe nga Alegri, i cili i ka fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk ka ndërmend që t’u rikthehet.

palmaresi i murinjos

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"