“Muri i Madh” është francez! Varan, Umtiti dhe Pogba, diga e “arkitektit” Deshamp

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 21:02

“Muri i Madh” është francez! Varan, Umtiti dhe Pogba, diga e “arkitektit” Deshamp

Nëse belgët rezul tuan një skuadër e talentuar, të cilën instinkti e solli deri në gjysmëfinale, Franca, përveçse solide, tregoi se është një ekip që kërkon manovrën e studiuar dhe të duruar. Goli me kokë është thjesht një detaj mbi një fitore të planifikuar dhe arritur në mënyrë inteligjente. Goditje këndi, rezultat dhe më pas menaxhim topi dhe rreshtim i vëmendshëm difensiv, kjo është skuadra e Deshamp në gjysmëfinale, me pëlqimin ose jo të tifozërisë së saj dhe asaj rivale. Djemtë francezë ndoshta nuk shkëlqejnë në aspektin spekatkolar, por kur bëhet fjalë për të qenë konkretë, janë të pashoq.

Franca

Duke qenë se Zhiru nuk është Henri e as Trezege, topi detyrimisht kalon nga mbrojtja në krahët e sulmit, ku Mbape dhe Grizman bëjnë gjithmonë veprimin e duhur, por sidomos luajnë vertikalisht. Belgët thumbojnë pak, por kur duhet Franca ka edhe një portier që nuk është rastësisht kapiten skuadre. Pas golit, mbrojtësi i parë është pikërisht Zhiru që deri tani nuk ka goditur kurrë në asnjë nga portat që ka hasur në rrugëtimin drejt Moskës.

Matuidi, Pogba dhe sidomos Kante janë një digë që nuk bie as me eksploziv, pavarësisht  se Hazard bën të pamundurën për ta krisur. Francezët dridhen, por nuk bien, teksa “Djajtë” rikthehen në ferr duke mbetur ekipi që niset, por nuk mbërrin kurrë në destinacion.

SHKËPUTJE- Duke ditur që në mesin e fushës do të humbte shumë duele për shkak të inferioritetit numerik të skemës së tij, Deshamp organizoi një barrikadë në mbrojte të zonës së rreptësisë, duke iu lejuar belgëve të shfryhen në krah. Skuadra e Martinez bie në grackë dhe furnizon sulmin me krosime, të cilat spastrohen në mënyrë konstante nga Varan, Umtiti dhe Pogba. Një tjetër lëvizje ishte urdhri ndaj Grizman për t’u nisur në krah dhe për të lëvizur mes reparteve për t’iu hequr çdo pikë referimi rivalëve.

Pogba dhe Mbape markohen mirë dhe nga afër, por shkëputjet e tyre janë vazhdimisht të palexueshme nga belgët, që vuajnë ditën jo të mirë të Lukakut, i cili për asnjë moment nuk bën Lorisin me dhimbje koke. Kur Hazard kalon në rolin e fantazistit, Kante ngjitet në katedër duke i marrë frymën shokut të skuadrës te Çelsi. Pasi fiket edhe numri 10 belg, në anët e Brukselit fillon të bjerë muzgu, teksa Franca e tërë shijon një agim që mund të përfundojë vetëm më 15 korrik.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"