“Muri” Donaruma, ngjitja e “Djallit” kalon nga… porta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2020 | 20:35

“Muri” Donaruma, ngjitja e “Djallit” kalon nga… porta

Për të tetën herë në këtë sezon, Xhanluixhi Donaruma doli nga fusha pa pësuar asnjë gol. Portieri i Milanit lë pas në këtë renditje të veçantë Muson e Udinezes dhe Handanoviçin e Interit, të paktën për momentin, pasi dy numrat 1 duhet të luajnë sot ndeshjet e javës së 21-të të Serisë A me ekipet përkatëse. Duke u rikthyer te Xhixho, ai vijon të paraqitet mrekullueshëm duke reaguar si duhet edhe në vështirësi.

Donaruma5

Ndaj Breshas ishin të paktën tri pritjet rezultatshpëtuese, teksa edhe një javë më parë ndaj Udinezes reagoi në mënyrën më të mirë pas gafës që u dhuroi miqve avantazhin e përkohshëm. Vetëm 20 vjeç, por ka në CV 184 ndeshje mes profesionistësh, teksa prej pesë sezonesh luan në nivele të larta duke qenë titullar i padiskutueshëm i portës së “Djallit”. Në gjysmën e dekadës së fundit, kuqezinjtë kanë ndryshuar tre pronarë, një mori drejtuesish e futbollistësh, por numri 99 ka qenë gjithmonë prezent. Ai shihet si kolonë e së ardhmes për Milanin dhe pavarësisht se kontrata i skadon në vitin 2021, drejtuesit duan të rinovojnë me Donarumën.

Menaxheri i lojtarit e konfirmoi pak ditë më parë se bashkëpunimi është i destinuar të vazhdojë për të paktën kohën e mbetur, por Xhixho ka treguar edhe më parë se vullneti i tij bën diferencën. Ndërkohë, duke u rikthyer te statistikat, kundër Breshas ai regjistroi pritjen e 70-të në kuadrat, çka e bën që të “udhëtojë” me një mesatare prej 3.5 pritjesh për ndeshje. Shifrat stratosferike për një portier, aq më tepër 20-vjeçar, por po aq alarmante për Milanin që pëson shumë goditje.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"