Mungonte që nga Liga e Kampioneve, Vila: I lumtur për rikthimin, ja si fiton Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 20:27

Mungonte që nga Liga e Kampioneve, Vila: I lumtur për rikthimin, ja si fiton Teuta

Pas dëmtimit të pësuar më 13 korrik në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit, ndeshja e kthimit e turit të parë kualifikues në Champions, Lorenco Vila është rikthyer të flasë për dëmtimin e tij, planet për karrierën dhe vështirësitë që hasi deri në rikthimin në fushë. Teksa foli edhe për sezonin që pret me ekipin e Teutës, Vila për “Panorama Sport” shprehet tepër i lumtur që u rikthye në fushë. Madje, rikthimin në fushë pas dëmtimit tremujor e ka krahasuar me ndjesitë kur ka nisur futbollin. Ai beson se nëse Teuta shikon dhe përqendrohet te ndeshjet e veta, do të ecë shumë përpara.

Lorenco Vila

Lorenco, sa ju kishte munguar futbolli pas më shumë së tre muajsh?
Jam shumë i lumtur që pas një dëmtimi të gjatë, më në fund u riktheva në fushë. Një ndjenjë që më ka munguar çdo ditë. Ndihem shumë krenar dhe falënderoj të gjithë ata që më kanë përkrahur. Më kanë dhënë forcë, besim, dashuri, se mundem t’ia dal dhe të shijoj përsëri këtë ndjenjë madhështore.

Le të ndalemi te rikthimi. Cilat ishin emocionet e ditës së parë?
Ka qenë njësoj si dita e parë që nisa të luaj, emocion maksimal, entuziazëm dhe një dëshirë e madhe për të rifilluar. Dëshirë që vihej re sapo u bashkova me ekipin. Tani pres që ta ndihmoj me gola Teutën.

Sa ka ndryshuar forma fizike pas 90 ditësh pa luajtur?
Jashtëzakonisht shumë. Nëse do të kujtojmë momentin kur u dëmtova ndaj Sherif Tirsapolit, unë isha në një formë të shkëlqyer, por tani pas dy muajsh shkëputjeje, asgjë nuk mund të jetë si më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra, që shpresoj t’i rikuperoj me kohën dhe të gjej formën e duhur.

Momentalisht në çfarë gjendjeje jeni?
Jam munduar në maksimum të ruaj formën sportive për të mos e pasur të vështirë rikthimin. Normalisht, duke falënderuar dhe fizioterapistin Ervin Shembitraku, i cili u kujdes maksimalisht për mua që të isha gati, por edhe profesor Salillarin që më riktheu në ritëm dhe u mundua të jem gati në aspektin atletik.

Luajtët ndaj Egnatias dhe menjëherë u treguat protagonist me asistin e dhënë për Grudën, i cili fitoi penalltinë, që u finalizua nga Kallaku…
Kisha vetëm pak minuta në fushë dhe ndeshja ishte 0-0, por skuadra po bënte mirë. Pasi topi u adresua tek unë, në çastin që e marr, shikoj një lojtar drejt meje dhe i ndodhur te harku i mesfushës, bëra një lëvizje për t’i dhënë idenë se do të gjuaja apo depërtoja. Me bisht të syrit kam parë Grudën të lirë, në të majtë të sulmit, dhe ndonëse i rrethuar, kam pasuar topin tek ai pa e parë fare dhe në fund u konkretizua me 11-metërshin që u kthye në gol dhe që na dha tri pikët.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për Teutën?
Pas atij rezultati jo të mirë ndaj Tiranës, është normale që skuadra të kalojë një moment të vështirë. Fitorja e kësaj jave ishte e rëndësishme për skuadrën në momentet që ka kaluar. Ne e kemi treguar në të shkuarën se dimë të ringrihemi shpejt dhe kjo gjë vjen falë grupit. Jemi të bashkuar për një qëllim, të marrim fitore në çdo takim.

Si e shikoni Superioren këtë sezon?
Është e vështirë ta parashikosh, por në këtë kampionat ka ekipe që janë më të organizuara. Do të jetë një luftë e fortë. Shumë skuadra pretendojnë, por e rëndësishme është që ne te Teuta të mendojmë për ndeshjet tona, pasi kështu mund të shkojmë larg.

Zamir Qypi-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"