Mungon Xhekson te Egnatia, Edlir Tetova: Kundër Bylisit është… delikate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 10:33

Mungon Xhekson te Egnatia, Edlir Tetova: Kundër Bylisit është… delikate

I qetë dhe i matur, Edlir Tetova i përket “rrymës” së trajnerëve me moshë të re (ka lindur më 14.04.1983), por që duan të sjellin frymë tjetër. Pas dy fitoreve radhazi ndaj Laçit dhe Vllaznisë, tashmë trajneri i Egnatias pret që skuadra e tij të tregojë forcën edhe sot ndaj Bylisit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, durrsaku që drejton rrogozhinasit theksoi se ka besim maksimal te vazhdimësia pozitive e skuadrës edhe në transfertën e Ballshit.

EDLIR TETOVA 1

Edlir, si e prisni transfertën me Bylisin?

Presim një ndeshje shumë të vështirë në Ballsh, por ne nuk duhet të shfaqim asnjë shenjë euforie pas dy fitoreve radhazi. Atmosfera në skuadër është e mirë dhe kjo na motivon për të synuar sërish fitoren. Lojtarët tashmë janë të ndërgjegjshëm për potencialin që kanë.

A ka diçka që ju shqetëson apo prish planet para kësaj ndeshjeje?

Do të mungojë kapiteni Xhekson, i cili është i dëmtuar. Gjithashtu, edhe mesfushori Hamzat është në luftë me kohën për rikuperimin e tij pas dëmtimit që pësoi në Laç. Grupit i është bashkuar edhe Akbekpornu, por nuk bëhet fjalë se mund të jetë gati për këtë sfidë.

I druheni euforisë apo dy fitoret radhazi ju ndihmojnë për këtë takim?

Kemi futbollistë profesionistë që dinë t’i menaxhojnë, si përgjegjësitë ashtu dhe emocionet. Psikologjia jonë është e qartë. Kemi përpara vetes objektivat e vendosura nga klubi dhe për to na duhet punë, mund dhe sakrifica të përbashkëta.

Duket se keni gjetur dyshen e sulmit tashmë: Delarzh-Camaj, që secili kanë realizuar nga 2 gola. Do të jenë sërish titullarë në Ballsh apo do t’i besoni brazilianit Bambam?

Shpresoj se Delarzh dhe Camaj nuk do të mjaftohen me kaq sa kanë bërë. Kampionati sapo ka nisur dhe ata kam përshtypjen e palëkundur se do të jenë edhe më efikasë, pasi ua njohim cilësitë që posedojnë.

Tani kalendari i ndeshjeve nuk është më aq i “egër” sa në 4 javët e para. Ju bën më optimistë kjo për vazhdimësinë?

Kapërcyem një kalendar “ferri”, por mendojnë se kampionati po hyn në një rrjedhë edhe më të vështirë. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet një përqendrim maksimal, qoftë edhe për detajet më të vogla në fushë.

Pas kësaj ndeshjeje me Bylisin, kampionati do të ndërpritet dy javë. Ju ndihmon kjo apo ndoshta ju prish punë në këtë moment të mirë?

Na ndihmon shumë, sepse sjell kohën e duhur për disa lojtarë që vijojnë rikuperimin. Po ashtu na ndihmon për disa gjëra të tjera të rëndësishme në aspektin teknikotaktik.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"