Mungon prej një muaji, mbrojtësi i Teutës: Periudha më e errët në karrierë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 14:48

Mungon prej një muaji, mbrojtësi i Teutës: Periudha më e errët në karrierë…

Esin Hakaj ka hedhur pas krahëve dëmtimin njëmujor. Tërheqja që pësoi në ndeshjen e 7 tetorit me Kastriotin i përket së shkuarës tashmë, e megjithatë stafi mjekësor dhe ai teknik kanë menduar që të mos e rrezikojnë për dy ndeshjet e kësaj jave (kundër Kamzës dhe Kukësit) dhe t’i japin edhe pak kohë lojtarit që të riaftësohet plotësisht.

hakaj

Mbrojtësi i linjës së majtë, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, rrëfen se kjo periudhë ka qenë tejet e errët, gjithsesi ngushëllimin e vetëm ia kanë dhënë shokët me ecurinë perfekte të Teutës në 4 javët e fundit.

Esin, u bëtë afro një muaj pa luajtur. Si është gjendja juaj aktualisht?

Ishte një dëmtim që erdhi në momentin e gabuar. Nuk doja të mungoja, pasi kisha dëshirën për të kontribuar në ekip. Po bëhet një muaj nga dëmtimi dhe mendoj se e kam lënë pas atë periudhë të errët dhe tani jam në fazën e riaftësimit. Dalëngadalë po ingranohem me grupin dhe po bëj maksimumin që të jem i gatshëm sa më shpejt.

Si ka qenë kjo periudhe jashtë fushe, sa ju ka munguar?

Për një futbollist, fusha është gjithçka. Përjashtim nuk mund të bëj as unë. Jam mësuar të luaj në vazhdimësi, ndaj me plotë gojën e them që jam ndier keq këto kohë. Por dëmtimi nuk më ka penguar që t’i qëndroj pranë ekipit, e kam ndjekur dhe jam shumë i lumtur për shokët e skuadrës.

Mendoni se do të jeni më i fortë në rikthim?

Është qëllimi im që të rikthehem sa më i fortë dhe të jem në gjendjen time më të mirë. Kam punuar shumë dhe të gjithë më kanë mbështetur, më kanë inkurajuar dhe ndihmuar për t’u rikthyer sa më i fortë.

Pra, mund të themi që Hakaj do jetë i gatshëm për Kamzën dhe Kukësin?

Rikuperimi po shkon mirë. Jam pjesë e grupit dhe po punoj që të gjej formën e duhur. Dëshira ime është të rikthehem menjëherë, por nuk besoj se është koha që të rrezikoj, duke qenë se jam në fazën finale të rikuperimit. Pas këtyre dy takimeve vjen pushimi prej Kombëtareve dhe ky do të jetë momenti i duhur që të vihem plotësisht nën urdhrat e stafit.

Atëherë krahu i djathtë do jetë sërish pa Hakajn…?

Skuadra ka një grup të fortë dhe ka djem që janë të gatshëm të marrin përsipër jo vetëm krahun e djathtë, por çdo pozicion ku skuadra ka nevojë.

Gjatë mungesës suaj, Teuta ka zhvilluar 4 takime dhe ka marrë 10 pikë, si e komentoni këtë ecuri?

E kemi nisur sezonin me ide të qarta për të qenë konkurrentë dinjitozë. Jemi një grup i mirë, edhe pse pësuam disa ndryshime, por kemi arritur të përshtatemi dhe të hyjmë në ritmin tonë, në ritmin që ne duam. Skuadra deri tani ka dhuruar një performancë të mirë dhe shpresoj që ta ruajmë. Puna dhe përkushtimi i të gjithëve, duke nisur nga stafi e deri lojtarët, është çelësi i suksesit tonë. Të kesh vazhdimësi është shumë e vështirë në kampionatin tonë, pasi çdo kundërshtar është shumë i fortë. Por, jemi të bindur që mund t’ia dalim, sepse asgjë nuk është e pamundur.

Shumë hapa përpara ka bërë Teuta, mendoni se do fitojnë edhe me Kamzën?

Përballë Kamzës në fazën e parë zhvilluam një ndeshje të mirë dhe arritëm të merrnim fitoren e parë në këtë edicion. Ata janë një skuadër me kualitet dhe i respektojmë, siç kemi bërë në çdo javë të kampionatit. Jemi në rrugën e duhur dhe vazhdojmë të jemi të etur për pikë.

Sa larg mendoni se do shkojë ky ekip, sepse tani jemi thuajse në gjysmën e fazës së dytë?

E rëndësishme është të marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, të ruajmë stabilitetin tonë. Sezoni është ende i gjatë dhe për realizimin e objektivave. Por, nëse ruajmë këtë ecuri, çdo gjë do të jetë më e lehtë në fund. Jemi të gjithë bashkë dhe të gjithë së bashku kam besimin se në fund do t’ia dalim të arrijmë objektivat dhe të dhurojmë një kampionat të mirë për të rikthyer skuadrën aty ku e ka vendin.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"