Mungon prej dy ditësh në stërvitje, Shkurtaj tremb Kukësin, por do të jetë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 9:00

Mungon prej dy ditësh në stërvitje, Shkurtaj tremb Kukësin, por do të jetë…

Kukësi humbi një betejë, por jo luftën. Kjo është motoja e drejtuesve verilindorë, prandaj ata po bëjnë maksimumin së bashku me lojtarët për t’u rikthyer te fitoret. Tri pikët janë detyrim ndaj Teutës ditën e shtunë e këtë gjë ekipi e di mjaft mirë, duke parë që edhe kundërshtarët përplasen me njëri-tjetrin dhe Kukësi ka shumë shanse ta rimarrë kreun e renditjes sërish. 

vasil shkurtaj

SULMUESI 

Kukësi ka në dispozicion gjithë ekipin, përveç Olsi Teqjes, i cili është stërvitur intensivisht me ekipin, por mungon ndaj Teutës për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Tiranës. E kundërta ndodh me sulmuesin kryesor të Kukësit, Vasil Shkurtaj, i cili nuk është stërvitur dy ditët e fundit, kjo për shkak të një dëmtimi që ai ka pësuar në ndeshjen ndaj Tiranës. Sulmuesi ka pasur dhimbje në fundin e ndeshjes kundër bardhebluve e duke ditur këtë fakt, trajneri Duro e ndërroi Shkurtajn, ndonëse disa lojtarë i kërkuan që shtatlarti të mos dilte.

vasil shkurtaj

Lojtari personalisht nuk ka kërkuar zëvendësim, pasi dhe mund të sakrifikonte, por trajneri, duke e ditur që ai kishte dhimbje, me shumë të drejtë e largoi nga fusha. E ditët mbas, në fakt, i japin disi të drejtë trajnerit Duro, pasi Shkurtaj nuk ka dalë në stërvitje dhe dje ai ka bërë ekografi. Për fat të mirë, sulmuesi ka pasur një dëmtim të lehtë, kontraktim, dhe sot pritet të dalë në stërvitje.

Mjekët e ekipit po punojnë intensivisht me lojtarin dhe prezenca e tij ndaj Teutës është detyrim. Me shumë gjasa ai do të luajë nga minuta e parë ndaj durrsakëve, pasi dihet se vlonjati është një garanci më shumë për trajnerin Duro dhe ekipin nënkampion. Shkurtaj ka shënuar 14 gola në 20 takime të luajtura më Kukësin e synimi i tij është titulli kampion dhe “Këpuca e Artë”. 27-vjeçari arriti të shënonte ndaj Tiranës, por kryesori Hamiti ia anuloi golin për një faull, por më pas ishte klubi që kundërshtoi hapur arbitrin, i cili, sipas tyre, kishte gabuar në këtë rast dhe raste të tjera.

Goli i Kukesit

STRATEGJIA

Kukësi do të përballet me Teutën ditën e shtunë. Në dy sfidat e fazës së parë e të dytë palët ndahen me nga tri pikë të marra secila ndaj njëra-tjetrës, pasi Teuta mundi Kukësin fazën e parë me rezultatin 1-0 me 28 shtator 2019, ndërsa nënkampionët u hakmorën duke e mundur thellë me rezultatin 4- 0 Teutën në “Elbasan Arena” më 14 dhjetor të vitit që shkoi. Por, çfarë strategjie do të ndjekë trajneri Duro për këtë sfidë? Gazeta mëson se stafi teknik i Kukësit nuk do të heqë dorë nga strategjia e tyre ultraofensive edhe ndaj Teutës. Pritet që formacioni të luhet me skemën 4-3- 3. Sulmi do të udhëhiqet nga Abazaj, Gavazaj e Shkurtaj, ndërsa dilema do të jetë për mesfushën e mbrojtjen, pasi akoma nuk është ndarë nëse në qendër të mbrojtjes do të kthehet Musolli apo do të luajë BrunoLulaj. Nëse Musolli do të kthehet në qendër të mbrojtjes, Rroca do të zhvendoset në qendër të mesfushës.

S. SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"