Mungon Fushtar, Kamza ka gati premion për “kokën” e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 17:44

Mungon Fushtar, Kamza ka gati premion për “kokën” e Skënderbeut

Përpara seancës së djeshme, trajneri Ramadan Ndreu zhvilloi një analizë të shkurtër, ku i pranishëm ishte dhe presidenti i Kamzës, Naim Qarri. Tekniku Ndreu falënderoi të gjithë lojtarët për sa dhanë gjatë takimit me Kukësin, ku edhe shprehu keqardhjen që nuk u arrit fitorja dhe lojtarët të përfitonin premion e vendosur nga presidenti dhe nga bashkia.

kamza

Më pas në analizë foli edhe presidenti Qarri, i cili ka falënderuar të gjithë lojtarët për atë që treguan ndaj Kukësit. “Bravo, keni zhvilluar një ndeshje nga më të bukurat e kampionatit. Më erdhi keq që nuk u arrit fitorja, pasi kishim premtuar dy lloj premiosh, një nga ana ime dhe një nga bashkia. Megjithatë, këto dy premio do të shkojnë për ndeshjen me Skënderbeun”, u shpreh Qarri para ekipit.

Fushtar dhe Qarri

FUSHTAR – Kamza të dielën ndaj korçarëve nuk do të ketë një nga shtyllat e mbrojtjes, Ivan Fushtar, i cili u dëmtua gjatë ndeshjes kundër Kukësit. Kroati ka qenë prezent në ambientin stërvitor, por nuk është stërvitur nga problemet e krijuara të enjten, madje ai është parë duke çaluar dje. Problemet i ka në anën e majtë, në kofshë, brinjë dhe një hematomë në sy. Sot (dje) para seancës stërvitore ai çalonte dhe me vështirësi ka shkuar deri te bankina e fushës ku stërviteshin dhe ka qëndruar ulur.

“Nuk kam fjetur gjatë gjithë natës pas ndeshjes, pasi dëmtimi në muskulin e këmbës më jepte dhimbje të tmerrshme. Në këto kushte jam i pamundur të luaj me Skënderbeun. Ndaj Kukësit ka qenë një ndeshje “lufte”, ku më kanë goditur me shkelm dhe me bërryl në sy. Nuk kam parë lojtarë aq të ashpër. Unë u dëmtova, por çuditërisht kartonin arbitri ma dha mua. Kjo nuk më duket e drejtë. Jam vizituar dhe po ndjek udhëzimet e mjekut. Më duhet të paktën 8 ditë kohë për t’u rikuperuar”, u shpreh Fushtar për “Panorama Sport”.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"