Mungon Ajeti, por De Biazi e ka gati zëvendësuesin në qendër 

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2016 | 21:04

Mungon Ajeti, por De Biazi e ka gati zëvendësuesin në qendër 

Dëmtimi i Arlind Ajetit ka përhapur pak panik mes tifozëve të kombëtares shqiptare, pasi mbrojtësi mendohej si partneri ideal i Mërgim Mavrajt në qendër të prapavijës, pas largimit të Lorik Canës nga kuqezinjtë.

Veseli

Veseli

Por trajneri Xhani De Biazi duket se ka gati futbollistin i cili mund të zërë vendin e tij në qendër të mbrojtjes.

Klubi i Empolit ka konfirmuar nëpërmjet faqes në internet se Frederik Veseli ishte grumbulluar nga trajneri De Biazi për dy ndeshjet kundër Marokut dhe Maqedonisë, që kuqezinjtë zhvillojnë në fillimin e këtij edicioni futbollistik.

Lojtari ishte planifikuar që të largohej nga Empoli që në merkaton e verës, drejt një klubi të Serisë B për t’u aktivizuar më rregullisht.

Por ai ka bindur trajnerin Martushelo me paraqitjet e tij në këto dy javë stërvitje, ku është aktivizuar si qendërmbrojtës.

Edhe De Biazi e sheh Veselin më shumë në këtë pozicion, jo si një alternativë për krahun e djathtë të prapavijës ku Hysaj është i paprekshëm. Për këtë arsye, Veseli kthehet në alternativën e parë të trajnerit kuqezi për të zënë vendin e Ajetit të dëmtuar.

Duhet kujtuar se edhe në ndeshjen kundër Francës në Euro 2016, De Biazi vendosi që të aktivizonte pikërisht Veselin pas dëmtimit të Ajetit në minutat e fundit të duelit, ndonëse ajo zgjedhje e tij u kritikua gjerësisht.

Sido që të shkojë e ardhmja e tij me kombëtaren, Veseli duket se e ka siguruar qëndrimin te Empoli, ku tashmë është përfshirë edhe në përbërjen zyrtare të skuadrës. Sipas faqes së Empolit, mbrojtësi do të mbajë numrin 13 në këtë sezon në Serinë A.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"