“Mungoi ‘shënjestra’, eliminimi na tronditi”, presidenti i Besëlidhjes : Partizani nuk na dominoi në lojë
Në Lezhë besonin vërtet te kualifiki mi, ndonëse historia nuk u përsërit. Gjok Noka është tronditur disi nga ky verdikt, e megjithatë ngushëllohet me lojën që Besëlidhja zhvilloi përballë Partizanit.
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti paralajmëron se skuadra po kthehet frikshëm dhe në fazën e dytë do të jetë në mesin e pretendenteve. “Objektivat tanë janë përqendruar te kampionati. Megjithatë, Kupa e Shqipërisë na joshi. Kështu ka ndodhur gjithnjë. Luftuam dhe dhamë më të mirën, pavarësisht se dolëm pak shpejt. Përballja me Partizanin na dha kënaqësi, pasi kemi një histori suksesi me këtë kundërshtar në këto pesë vitet e fundit. Kështu, eliminimi i së mërkurës së kaluar na tronditi disi. Në të dyja ndeshjet ndaj Partizanit ekipi ishte në lartësinë e duhur dhe luajti si i barabartë. Për të mos thënë ishim më superiorë.
Humbja na erdhi pas më shumë se 80 minutash lojë sulmuese dhe rastesh të humbura. Pra, na skualifikoi mungesa e ‘shënjestrës’ së sulmuesve tanë dhe jo epërsia e kundërshtarit. Kur nuk shënon, normalisht që pëson. Kjo është një formulë e njohur në futboll. Partizanit i uroj suksese në vijimësi, në të dyja kompeticionet. Duke lënë pas Kupën, tani jemi të përqendruar te Kategoria e Parë. Gjashtë javët e para po kujtohen vetëm si një ëndërr e keqe, pasi tani jemi kthyer në identitet dhe për këtë jam i kënaqur. Shpresoj shumë se zonën e ftohtë do ta lëmë që këtë të diel dhe të përfshihemi në zona më të sigurta.
Objektivat tanë për fazën e parë janë për ta mbyllur në gjysmën e parë të tabelës, pasi mundësitë i ka ekipi. Për fazën e dytë do të luftojmë fort që të mbetemi kërcënim real për ekipet e kreut. Këtë besim ma përforcon jo vetëm forma e mirë e skuadrës, sasia e pikëve që kemi në dispozicion dhe merkatoja e janarit. Po punoj për rifreskimin e ekipit. Stafit teknik i kam kërkuar që të punohet më me përgjegjësi me sulmin për kolaudimin e finalizimit, pasi jemi penalizuar mjaft nga rastet e humbura”, përfundoi numri një i klubit lezhjan.
PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"