Mungoi në stërvitje, klubi i Kategorisë së Parë largon sulmuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2022 | 14:36

Mungoi në stërvitje, klubi i Kategorisë së Parë largon sulmuesin

Saimir Hasani largohet pa ardhur mirë nga Fieri. Jo më larg se një javë më parë firmosi kontratë me Apoloninë, por në orën e fundit të merkatos ka ardhur edhe “divorci”.

SAIMIR HASANI

Për sulmuesin mbyllet kjo aventurë pa e nisur ende. Shkaku: një keqkuptim. Kanë qenë vetë drejtuesit që e kanë prishur marrëveshjen në mënyrë të njëanshme, për mungesën disaditore në stërvitje.

Duke e cilësuar joprofesionale këtë sjellje, kanë vendosur që ta largojnë. Lojtari ka një tjetër version dhe mohon atë të klubit. Ai pretendon se i ka marrë leje vetë trajnerit Juri Kanarsa.

Në kësi kushtesh, fierakët kanë anuluar përforcimin numër tre (më herët kanë marrë Kevi Berberin dhe Elvis Kovaçin).

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me laçianin, i cili ka dhënë ekskluzivisht edhe një reagim për këtë çështje. Ai mohon kategorikisht që të mos ketë njoftuar për mungesën e tij në stërvitje dhe rrëfen se ka mbetur i befasuar kur mësoi vendimin drastik të Apolonisë.

“Ndihem i zhgënjyer. Kisha aq shumë dëshira që të vishja një orë e më parë këtë fanellë, por nuk do ta kem më këtë mundësi. Kjo aventurë nuk do të nisë kurrë.

Nuk e mendova dy herë të pranoja ofertën që m’u bë në fillim nga klubi dhe kjo është e kuptueshme, pasi dihet kush është Apolonia. U paraqita në ambientet e klubit në fillim të javës për të kryer stërvitje, por zyrtarë të klubit me anë të një njoftimi më komunikuan se më është ndërprerë kontrata në mënyrë të njëanshme.

Arsyeja ishte mungesa ime disaditore në stërvitje, si edhe ajo në ndeshjen zyrtare. E mohoj kategorikisht një gjë të tillë, pasi unë kisha marrë leje. E theksoj me të madhe se leje mora në fillim, por duket se nuk është marrë në konsideratë më tutje. Përderisa vendimi i klubit fierak është kaq drastik… nuk i jap shpjegim tjetër.

Tashmë nuk figuroj më si lojtar i Apolonisë, ndonëse pata nënshkruar një marrëveshje. Më vjen shumë keq që aventura ime përfundoi pa nisur mirë dhe ndihem totalisht i befasuar.

Asnjëherë nuk më ka ndodhur kjo gjë gjatë karrierës sime dhe unë kam vite që luaj futboll në Kategorinë e Parë”, përfundoi Saimir Hasani.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"