“Mungesat nuk ndikuan ndaj Apolonisë”, Ilir Daja: Lojtarët janë aktorët kryesorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 17:19

“Mungesat nuk ndikuan ndaj Apolonisë”, Ilir Daja: Lojtarët janë aktorët kryesorë

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, foli pas fitores me Apoloninë në Kupën e Shqipërisë, sfidë ku të besuarit e tij triumfuan me rezultatin e ngushtë 1-0. Sipas strategut 54-vjeçar, ekipi duhet të kishte shënuar dhe golin e dytë, në mënyrë që të ishin të qetë, por në përgjithësi ishte i lumtur me atë që treguan futbollistët në fushën e blertë.

ilir daja

Numri një i stolit të demave të kuq, për “Panorama Sport”, u shpreh: “Atëherë, dihet që specifika e Kupës është e veçantë, pasi luhet me një ndeshje teke për shkak të situatës. Nuk na lejohet të bëjmë gabime. Kjo fitore, na bën të jemi të kënaqur në vazhdim, pasi kishim përballë një ekip të Superiores, pavarësisht se vjen nga Kategoria e Parë.

Ne e kishim vlerësuar dhe ajo që më pëlqeu ishte loja që ne zhvilluam në gjysmëfushën e kundërshtarit. Kemi pasur raste për të dyfishuar rezultatin, gjë kjo që do t’i jepte qetësi ekipit, por në fund kemi arritur atë që është kryesorja, kualifikimin. Një element i rëndësishëm për vazhdimësinë e skuadrës është konsolidimi i manovrës së lojës në fazën e mbrojtjes dhe në atë të sulmit. Kemi goxha punë për të bërë, por sot kishim edhe tre mungesa të rëndësishme që janë portieri Hoxha, Asani dhe Mala, që janë lojtarë shumë cilësorë të grupit, por që përshëndes pjesën tjetër të ekipit.

Megjithëse kishim këto mungesa, ato u ndjenë pak në lojë, kështu që me ardhjen e tyre të kemi më shumë alternativa dhe ajo që do të na bëjë të mendojmë më qetë dhe më mirë për të ardhmen, do të ishte konsolidimi i lojës duke u nisur nga vetë fakti që nëse në mesfushë dhe në sulm kemi lojtarë që mund t’i ndërrojmë në role natyrale, këtë gjë e kemi pak problem në mbrojtje, por që në situata të caktuara do hedhim në fushë ato alternativa që kemi përdorur gjatë zhvillimit të ndeshjeve miqësore”.

VAZHDIMËSIA – Për sa i përket vazhdimësisë në kampionat dhe në Kupë, Daja deklaroi: “Do të vazhdojmë me këto ritme, sepse pa diskutim që lojtarët janë aktorët kryesorë dhe kur këta janë të motivuar 100% në funksion të grupit, gjërat shkojnë mbarë. Ne kontingjentin e kemi, edhe cilësinë e kemi brenda në grup dhe motivimi do të bëjë që ne të ecim akoma më mirë në drejtim të performancës, gjë të cilën do të na i garantonte një ecuri pozitive”.

REDI DANDALLAKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"