Mungesat bëhen “mal” te Lushnja, Magani: Kujdes në Peqin! Të shpërblejmë mundin e një viti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 12:02

Mungesat bëhen “mal” te Lushnja, Magani: Kujdes në Peqin! Të shpërblejmë mundin e një viti

Lushnja nuk ka qenë thuajse asnjë javë e plotë. Gjatë gjithë fazës së dytë ka pasur të dëmtuar apo të pezulluar dhe e njëjta situatë e pret edhe në finish të këtij kampionati.

Endrien Magani

Udhëton në Peqin me “poker” mungesash. Veç Artion Alillarit, Igli Moqit dhe Ledion Xhymertit, listës i shtohet edhe Florian Daci.

Mbrojtësi u dëmtua në derbin me Apoloninë dhe përtej shpresave që stafi teknik kishte, nuk mund të rikuperohet. Agim Canaj po mendon për zëvendësuesin dhe ka të ngjarë që në krah të Klajdi Broshkës të vendoset Adriatik Basha.

Vendimi final do të merret të premten, kur do të mbyllen përgatitjet për javën e 30-të të Kategorisë së Parë. Këtë të shtunë, verdhejeshilët do të luajnë me Shkumbinin.

Një ndeshje e lehtë në letër, kur dihet që kundërshtari ka rënë zyrtarisht, e megjithatë vend për nënvlerësim nuk ka.

Shans për të rikuperuar më pikë nuk ka dhe lushnjarët nuk duan që t’ia lënë asgjë rastësisë, ndaj do të zbresin në fushë për të marrë pikët e plota dhe blinduar vendin e 8-të.

Në fakt, kanë një handikap këtë sezon, pasi akoma nuk kanë fituar në transfertë. Maksimumi kanë shijuar 6 barazime, por vetëm kaq.

MAGANI KTHEHET NË PEQIN

Endrien Magani kthehet në shtëpi, por këtë herë si kundërshtar. Deri në janar ishte pjesë e bardhekaltërve por pjesën e dytë të sezonit ka mbrojtur fanellën e Lushnjës.

Edhe pse Shkumbini ka rënë, ai apelon shokët që të bëjnë kujdes. Shkas merr nga barazimi 3-3 me Vorën, që i futi ndjeshëm në siklet. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi thekson se ka ardhur koha që të shpërblejnë mundin e një viti të tërë.

“Është ndeshja e fundit dhe ekipi luan vetëm për fitoren. Zgjidhje tjetër nuk kemi, nëse duam që të mbajmë vendin që kemi në renditje dhe shpëtojmë sezonin.

Të shpërblejmë mundin dhe djersën tonë. Faza e dytë ka qenë shumë pozitive, por le t’i bëjmë mbylljen e duhur këtij viti. Kundërshtari vërtet ka rënë dhe ka 1001 halle, por nuk duhet nënvlerësuar.

Duhet kujdes maksimal. Nuk kemi pse të përsërisin gabimin që bëmë me Vorën”, përfundoi peqinasi i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"