Mungesat bëhen “makth”, mjeku i Egnatias sqaron dëmtimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 23:04

Mungesat bëhen “makth”, mjeku i Egnatias sqaron dëmtimet

Rrogozhinasit kanë arkivuar humbjen e radhës me Laçin dhe tashmë mendojnë vetëm për Teutën. Gjatë dy ditëve të fundit, skuadra është përgatitur në ambientet e stadiumit. Trajneri Ramadani dhe stafi i tij kanë një grup jo të plotë, pasi Pedro e Telushi po mungojnë nga dëmtimet dhe pothuajse e kanë përfunduar më herët këtë fundvit.

egnatia

Kurse sa i përket pjesës tjetër, gëzon formë të mirë e shpresohet kthesa e shumëpritur ndaj durrsakëve. Një rezultat pozitiv do të rikthente qetësinë kudo në kamp. Ndaj Laçit munguan, por grupi është plotësuar dhe me Ymeralilajn e Allmuçën, që janë një plus për ekipin. Lajmi i mirë tek Egnatia është rikthimi në stërvitje i ganezit Agbekpornu, i cili operoi meniskun e gjurit dhe pas një terapie të plotë ai është bashkuar me grupin dhe mendohet që është gati dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë disa minuta për të në ndeshjen ndaj Teutës.

MJEKU I EKIPIT – Ka qenë fizioterapisti i skuadrës, Fisnik Manushi, që ka ndjekur të gjithë ecurinë e fazës riaftësuese. Për “Panorama Sport” ai thekson se më e vështira kaloi për ganezin që tani pret të luajë. “Dëmtimi i Agbekpornu ishte shumë dekikat. Vetëm një ndërhyrje do të bënte të mundur gjithçka. Rëndësi ka që gjithçka shkoi mirë pas një terapie intensive, në mënyrë që të rikthehej njësoj si më parë. Që në fillim vura re një përkushtim të madh nga ana e tij dhe kanë qenë plot dy muaj që dhanë përmirësim në gjendjen e përgjithshme.

Është ndjekur me rigorozitet në çdo etapë, pa neglizhuar aspak çdo moment. Një vizitë e fundit do të vendosë që me patjetër është gati të luajë. U vendos që të nisë stërvitjen pa asnjë problem dhe nuk ka ndjerë asnjë dhimbje. Ka qenë në vëmendje në çdo rast dhe pret mundësinë të luajë. Mendoj se është gati plotësisht. Pjesa tjetër gëzon formë të mirë, veç Pedros që duket se i shpëtoi operimit dhe po vazhdon me terapi. Ndërsa për Telushin do pak kohë të vendoset gjithçka se si do të veprohet”, përfundoi fizioterapisti i Egnatias.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"