Mungesa të shumta/ Shehi dhe Shkëmbi “skicojnë” formacionet, ja si priten të rreshtohen Tirana dhe Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2021 | 14:45

Mungesa të shumta/ Shehi dhe Shkëmbi “skicojnë” formacionet, ja si priten të rreshtohen Tirana dhe Dinamo

Tirana ka zhvilluar stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes me Dinamon në kampionat. Skuadra ka zgjedhur “Selman Stërmasin” për të punuar deri në fund për sfidën me Dinamon, ndërsa nga ana tjetër bardheblutë kanë ndezur edhe dritat e stadiumit. Lojtarët dhe stafi kanë qenë të qetë dhe kanë punuar në harmoni të plotë.

tirana dinamo

MUNGESAT – Me skuadrën dje nuk është stërvitur Majkëll Ngo. Sulmuesi është lënë pushim meqenëse është i pezulluar dhe stafi nuk ka dashur ta ngarkojë. Nga ana tjetër, pjesa tjetër e lojtarëve ishte e gjitha në grumbullim.

Shehi ka punuar shumë taktikisht me ekipin, ndërsa Tirana pritet të ndryshojë në sfidën e dytë me Dinamon.

Me mungesën e Ngosë dhe Tolit, Shehi do të eksperimentojë një ekip të ri. Janë dy versione. I pari me spostimin e Ismajlgecit në sulm, në vend të Seferit që merr rolin e qendërsulmuesit.

Opsioni tjetër është ai i aktivizimit të Hotit në repartin e avancuar. Gjithsesi, Shehi ka ende për të zhvilluar edhe një stërvitje para se të vendosë për 11-shen anti-Dinamo.

Tekniku nga ana e tij nuk e ka ndarë mendjen, ndërsa klubi u ka kërkuar lojtarëve që të fitojnë medoemos në sfidën me blutë.

Trajneri ka analizuar me kujdes çdo gabim në ndeshjen e parë dhe pritet që skuadra të ndryshojë këtë sfidë.

Tirana nuk ka luksin që të humbasë pikë me Dinamon në kampionat, ndërsa presidenti Halili i ka kërkuar skuadrës që të fitojë edhe ndeshjen e dytë të Kupës dhe të përballet me Partizanin në derbin mes dy skuadrave, këtë herë në Kupën e Shqipërisë.

Aleksandër Sofranak, Romeo Harizaj, Rimal Haxhiu dhe Edis Maliqi janë mungesat e Dinamos për derbin e sotëm me Tiranën.

Në krahasim me ndeshjen e së mërkurës në Kupë, trajneri Shkëmbi nuk do të ketë në formacion portierin Harizaj dhe lojtarin e krahut, Haxhiu, kështu që zgjedhjet e tij janë të detyruara.

Në portë do të luajë Edvan Bakaj, që në pjesën e dytë të derbit të Kupës u duk në formë shumë të mirë. Ndërkohë, Goran Siljanovski, i cili u aktivizua si mesfushor shkatërrues të mërkurën, sot do të kthehet në të djathtë të mbrojtjes, ku Sidibe dhe Imami do të përbëjnë dyshen e qendrës, ndërsa Isaevski do të jetë në të majtë.

Në qendër të mesfushës, Demiri do të ketë si partner Ali Samaken, që duket se është alternativa e vetme bindëse për këtë pozicion.

Redon Mihana dhe Xhuliano Skuka do të jenë nga krahët e sulmit dhe kapiteni Agim Ibraimi në qendër. Të tre do të mbështesin sulmuesin kryesor, Stefen Çinedu.

Duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutës së fundit, ky pritet të jetë formacioni i Dinamos në derbin e sotëm.

Interesant është fakti se, edhe pse është dita e ndeshjes, blutë do të kryejnë edhe një stërvitje të fundit paradite në Durrës, ku trajneri Shkëmbi do të japë udhëzimet e fundit për ata që do të zbresin në fushë nga minuta e parë. Lojtarë si Gavazaj, Bardhi dhe ndonjë tjetër janë gati për të marrë minuta në pjesën e dytë.

TIR

DIN

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"