Mungesa të mëdha ndaj Tiranës, Çyrbja: Goli është problem i madh, kjo Teutë më e fortë se një sezon më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2019 | 16:40

Mungesa të mëdha ndaj Tiranës, Çyrbja: Goli është problem i madh, kjo Teutë më e fortë se një sezon më parë

Teuta kërkon kthesën me Tiranën, e megjithatë Bledi Shkëmbi duhet t’i bëjë llogaritë me dy mungesa të mëdha. Arapi plotësoi numrin 4 të kartonëve, ndërsa Todorovski u ndëshkua me të kuq. Pa këta titullarë të rëndësishëm, durrsakët nuk do ta kenë assesi të lehtë të premten.

tEUTA

Për Arbër Çyrben mungesa e golit është një problem serioz. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori komenton ecurinë dhe ndalet te takimi i javës së 11-të, që e luajnë në “Niko Dovana”. Ai e pranon që rezultatet e dy javëve të fundit nuk janë aspak të mira, por beson te reagimi i shpejtë i durrsakëve.

Vetëm 1 pikë në 180 minuta të luajtura. Çfarë nuk po shkon?

Në futboll nuk mund të fshihesh dhe dy javët e fundit nuk kanë qenë aspak të mira. Si një lojtar i Teutës, kjo gjë më lëndon. Mendoj se ndaj Bylisit kishim mundësi të merrnim tri pikë, duke parë edhe mundësitë që na u krijuan. Shpresoj dhe besoj që ndaj Tiranës të kemi dhe pak fatin me vete dhe të rikthehemi te fitorja.

Ku duhet të përmirësoni?

Ekipi i ka mundësitë që ta rrisë performancën. Kemi lojtarë cilësorë, që duan me patjetër të kenë sukses dhe sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do aq shumë ekipin.

Krijoni shumë, por goli nuk po vjen…

Sigurisht, mungesa e golit është një prej problemeve më kryesore, sepse nuk jemi akoma të qartë para portës. Është gjynah, sepse volum u bë, gjërat që i kishim përgatitur shkuan mirë, por problemi është i golit. Kjo gjë po na kthehet në një stres dhe duhet patjetër të reagojmë, të jemi akoma më shumë cinikë para portës, të shfrytëzojmë rastet që na jepen. Duhet akoma shumë punë, shumë durim dhe besim.

cYRBJA

Këtë javë vjen një tjetër ndeshje dhe përballë do të keni Tiranën. Gati për kthesën?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme kjo. I gjithë ekipi e ka të qartë: duhet fituar. Ne mund t’ia dalim dhe këtë e kemi vërtetuar duke bërë lojëra të mira, sikundër kemi bërë deri më tani. Kemi besim te forca jonë dhe vlerat që mbartnim. Nëse kjo ndodh, atëherë rezultati që të gjithë presin do të vijnë. Duhet t’ia dalim edhe për tifozët.

A është Teuta më e fortë se një sezon më parë?

Besoj se po. Do të bëjmë gjëra të mëdha. Unë kam besim shumë te ky grup, kështu që edhe rezultatet nuk do të mungojnë.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"