Mungesa e rezultateve/ Brdariç nën presion, sot shans i artë për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2021 | 8:46

Mungesa e rezultateve/ Brdariç nën presion, sot shans i artë për Vllazninë

Te Vllaznia po ndihet më shumë se kurrë presioni i mungesës së rezultateve. Një gjë e tillë tashmë është e dukshme edhe në raportin me publikun, pasi për të dytin takim radhazi, klubi nuk ka lejuar asnjë prej pjesëtarëve të stafit teknik apo lojtarëve që të dalë në konferencën e zakonshme për mediat 24 orë para ndeshjes me Bylisin. “Panorama Sport” mëson se edhe gjermani Tomas Brdariç ka qenë vetë dakord për të mos folur për mediat në prag të këtij takimi. Pas 6 muajve, ku elozhet kanë qenë të mëdha për trajnerin kuqeblu, kohët e fundit nuk kanë munguar kritikat dhe rasti i penalltisë në ndeshjen ndaj Kukësit, ka trazuar jo pak situatën. Megjithatë, gjermani kërkon që ta menaxhojë si duhet grupin, duke ruajtur ekuilibrat me mënyrën e tij, që në fakt duhet thënë se deri më tani ka qenë e suksesshme. Ndërkohë, drejtuesit kanë qenë në union me dëshirën e trajnerit, që përpara kësaj ndeshjeje të mos ketë prononcime.

Brdaric

Natyrisht, sot ndaj Bylisit, një takim që do të luhet në orën 13:00 në “Loro Boriçi”, Vllaznia ka një shans të artë për të bërë kthesën e madhe, pasi vjen pas një ecurie jo të mirë, që i rrezikon më shumë se kurrë kreun. Vetëm 7 pikë në tetë ndeshjet e fundit janë pak për një skuadër që nga pretendimet për Europë në fillim të sezonit, ka tashmë shansin për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Kalendari është disi më i favorshëm për shkodranët në dy ndeshjet e radhës, pasi përveç Bylisit, më pas luan ndaj Kastriotit në transfertë, që gjithsesi është një kundërshtar që u mori pikë kuqebluve në “Loro Boriçi”. Në dy fazat e para Vllaznia ka arritur rezultate identike me Bylisin, duke fituar 1-0 në Shkodër me gol të Eni Imamit, si dhe 0- 1 në Ballsh falë Ardit Hoxhajt në kohën shtesë të takimit. Tri pikët këtë herë janë më të domosdoshme se kurrë për vetë situatën që po kalojnë shkodranët, pasi do të ishin më të qetë për vazhdimësinë e kampionatit.

MOMENTI I BLERJEVE

Rikthehen pas dëmtimeve Aleksandër Isaevski dhe Herald Marku, por Brdariç ka dilema për përfshirjen e tyre në formacion. Gjithsesi, e sigurt është që sot të dy lojtarët do të jenë pjesë e stolit dhe mund të përdoren në çdo moment nëse ka nevojë skuadra. Në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, lëvizjet do të jenë të pakta. Lojtari i krahut të majtë nga Togo, Elom Nya-Vexhi, ka fituar besimin e Brdariç dhe sërish do të jetë titullar. Risia pritet në majën e sulmit, aty ku Salim Cise po fiton kredite javët e fundit. Në një moment ku skuadra është futur në krizë rezultatesh, sytë janë nga afrimet e janarit, pasi përveç Elom, trajneri ka besim edhe te forma në rritje e mesfushorit malazez, Millosh Kaleziç. Mungesa e Da Silvës së dëmtuar ia prish disi planet Brdariçit, por gjithsesi me një kontingjent prej 25 lojtarësh, ku diferencat mes tyre janë të vogla, trajneri është i qetë dhe sot beson se afrimet e janarit mund t’i japin një shtysë skuadrës për të kaluar këtë moment kritik.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"