Mungesa e dyshime te Besa, mbrojtja në alarm/ Ja situata te klubi i Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2022 | 22:03

Mungesa e dyshime te Besa, mbrojtja në alarm/ Ja situata te klubi i Kategorisë së Parë

Hallet nuk mba rojnë për Besën. Sikur të mos mjaftonin rezultatet negative, duhet t’i bëjë llogaritë edhe me mungesa. Situata rëndohet, kur dihet varfëria e stolit. Këtë fundjavë presin Burrelin dhe Dorjan Bubeqi nuk do të ketë në dispozicion Armenis Kukajn.

bubeqi besa

Qendërmbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk mund të luajë. Në dyshim është edhe “partneri” i tij, Agim Dajçi. Ky i fundit po kalon gjendje gripale dhe nuk ka siguri për aktivizimin e tij. Nuk po llogarisim Leart Zekollin, që prej ditësh gjendet për provë në Kroaci. E thënë ndryshe, prapavija është e gjitha “gropë” dhe stafit teknik i ka nisur dhimbja e kokës. Ngushëllimi i vetëm vjen nga Skerdian Perja, që mungon prej dy ndeshjesh.

U mendua që do të luante në Peshkopi, por gjendja e tij nuk jepte garanci. Megjithatë, të dielën pritet në fushë. Edhe pse nuk është rikuperuar plotësisht, ai për “Panorama Sport” thotë se do të bëjë çmos që të kthehet. “Nuk na u ndanë mungesat këtë janar-shkurt. Vijnë në momentin tonë më të keq, pasi me aq largime, mjaftojnë 2 mungesa titullarësh dhe prishet gjithë taktika. Personalisht u përpoqa të luaja në Peshkopi, por nuk ia dola për shkak të një tërheqjeje të lehtë që më mbajti jashtë edhe me Pogradecin.

Bashkë me fizioterapistin po punojmë që ndaj Burrelit të rikthehem. Duhet sakrifikuar, pasi kam frikë se do mungojë e gjithë prapavija me Kukajn, Dajçi rrezikon dhe Zekolli është mungesë e sigurt, pra mbrojtës realisht mbetem vetëm unë dhe si gjithmonë Muçaj po sakrifikon duke u kthyer në qendër të mbrojtjes. Por gara nuk të pyet, ndaj po punojmë deri të shtunën për të përgatitur këtë 90-minutësh.

Vijmë pas dy humbjesh dhe rruga e vetme mbetet të rikthehemi te fitoret. Kundërshtarët poshtë nesh po afrohen dhe nëse nuk fitojmë sfidat në shtëpi, mund të rrezikojmë që të zbresim në ‘play out’. Për këtë arsye duhet të ‘shtrëngojmë dhëmbët’ dhe edhe pse të dëmtuar të sakrifikojmë për ekipin. E thashë dhe më lart, se nëse vazhdojmë të lëmë pikë veçmas në Luz, atëherë rrezikojmë seriozisht të futemi në zonën e kuqe”, përfundoi qendërmbrojtësi i verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"