Mungesa dhe dyshime, Tirana në luftë me kohën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 17:54

Mungesa dhe dyshime, Tirana në luftë me kohën

Tirana “arkivon” pushimet dhe nis të mendojë për Apoloninë. Situata nuk duket fort premtuese dhe për të kuptuar këtë, mjaftonte të shihje mungesat që rezervoi e marta në stërvitje. Plot 5 futbollistë mbajnë në “ankth” Ze Marian. Ka nga ata që mund të konsiderohen zyrtarisht si mungesa, por edhe të tjerë që mbeten pezull.

Tirana

Frika më e madhe mban emrin e Ilion Likës. Portieri nuk zbriti në fushë dje, ndërsa sot mësohet se do të kryejë rezonancën magnetike. Shpresat varen nga përgjigjja. Nëse nuk rrezikon, atëherë bardheblutë mund të marrin frymë lirisht. Në të kundërt, do fillojnë të mendojnë nëse do të hedhin në fushë Çalin apo Abibin.

Një tjetër lojtar që mund të llogaritet sërish i padisponueshëm, është Albi Doka, i cili gjithashtu e bëri pushim dje, paçka se u paraqit në “Skënder Halili”. I duhet edhe pak kohë që të riaftësohet plotësisht. Ndryshe paraqitet gjendja e Musa Muhamed. Hodhi pas krahëve dëmtimin në shpinë, por duket se Tirana do ta humbasë sërish.

Tirana2

Mediat keniane e përfshinin në listën e të grumbulluarve për miqësoret e 24 dhe 27 marsit. Megjithatë, “ftesa” është vetëm mediatike, pasi në klub konfirmojnë për gazetën se ende nuk ka ardhur asnjë njoftim. Nëse ftesa vjen më vonë, Musa do i shtohet mungesave. Një çështje më vete është sulmi.

Seancat e djeshme u zhvilluan pa “bombera”. Junus Sentamu u nis për në Ugandë (i grumbulluar nga Kombëtarja), ndërsa Majkëll Ngoo ka “ngecur” në Angli. Bardheblutë janë në luftë me kohën, e megjithatë në ndihmë u ka ardhur edhe shtyrja e “finales” me Apoloninë. Duke qenë se “Selman Stërmasi” do shfrytëzohet nga FSHF-ja këtë javë, është vendosur që java e 21-të të luhet të mërkurën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"