“Mundohem që të shënoj çdo ndeshje”, Ndreca: U harrua Egnatia, mendjen te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 10:28

“Mundohem që të shënoj çdo ndeshje”, Ndreca: U harrua Egnatia, mendjen te Tirana

Fitorja e arritur ndaj Egnatias në fushën e këtyre të fundit ishte si një çlirim për ekipin e Kukësit. Në fakt, ishte e para herë që ndodhte këtë sezon që verilindorët të kthenin një rezultat në favorin e tyre, për më tepër të arrinin një fitore duke pësuar gol.

kukesi

Gjithsesi, duke parë edhe rezultatet që prodhoi kjo javë, sërish blutë janë në vendin e fundit, ndaj nuk ka vend për festë, teksa vëmendja është te përballja e radhës, ajo me kampionët e Tiranës në “Kukës Arena”. Blutë shpresojnë që pas kësaj fitoreje të nisin një seri rezultatesh pozitive dhe t’i largohen përfundimisht fundit.

NDRECA – Në përfundim të ndeshjes, autori i golit të barazimit, Edison Ndreca, flet për “Panorama Sport”, i cili pohon se pavarësisht situatës në të cilën ndodhen, hynë në këtë ndeshje pa një presion pikësh, të bindur se momenti i tyre do të vinte.

ndreca

“Hymë në fushë pa një presion pikësh, me idenë që të luajmë futboll dhe të dimë të administrojmë momentet tona. Pas rezultateve negative të javëve të fundit dëshmuam në këtë ndeshje mundësitë reale të Kukësit. Gjithsesi, pas vërshëllimës së gjyqtarit mendja jonë është vetëm te ndeshja e radhës”, u shpreh fillimisht mbrojtësi i majtë i verilindorëve, i cili e vlerëson në maksimumin këtë fitore, e cila merr më shumë vlera edhe duke parë mënyrën se si u arrit, duke bërë një përmbysje ndaj një kundërshtari jo të lehtë.

GOLI – Më tej, 28-vjeçari u ndal edhe te goli i tij, i cili ishte i pari për këtë sezon. Ndreca njihet për golat e tij spektakolarë nga jashtë zone, duke qenë një ndihmë e madhe sezonin e kaluar për blutë. Për realizimin e rrjetës ndaj Egnatias ai tregohet i sinqertë, duke theksuar se dy provat e para nuk shkuan si duhet.

“Dihet që specialiteti im mbeten daljet në sulm dhe goditjet drejt portës. Të jemi sinqertë, në këtë ndeshje e provova edhe dy herë të tjera, por isha i pafat. Mesa duket, rezultoi e treta e vërteta dhe topi shkoi në rrjetë”, u shpreh Edison Ndreca, i cili është një nga futbollistët më stabël të ekipit të Kukësit përgjatë këtyre dy sezoneve të fundit, kur edhe u afrua në skuadër nga radhët e skuadrës së Bylisit.

Duhet thënë se në të gjitha ndeshjet që ka qenë i gatshëm, mbrojtësi është aktivizuar si titullar dhe nuk është zëvendësuar asnjëherë, duke pasur gjithnjë besimin e trajnerëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"