Mundje/ Tirana shpallet kampione e Shqipërisë, Frrokaj drejt përmirësimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 22:11

Mundje/ Tirana shpallet kampione e Shqipërisë, Frrokaj drejt përmirësimit

Është zhvilluar dje paradite, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, në kryeqytet, kampionati i mundjes me një pjesëmarrje nga e gjithë Shqipëria duke shpallur dhe fituesit. Në këtë kampionat mundësit kanë garuar në pesha të ndryshme në dy disiplina: në stilin e “lirë” dhe atë “grekoromak”. Kishte një rivalitet të jashtëzakonshëm, ku kanë spikatur mundësit e ekipeve të Tiranës, Teutës, Besëlidhjes e të disa ekipeve të tjera si Teuta, Tomori, Flamurtari, etj.

Mundje-16-17-vjecaret-ndeshje

Gjatë gjithë kohës garat janë shoqëruar dhe nga një flamur që mbante mbishkrimin e emrit të mundësit, që pak ditë më parë pësoi një dëmtim të rëndë në Kampionatin Ballkanik të Mundjes për të rinj në Slloveni, Leonardo Frrokaj. Presidenti Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, i pyetur për gjendjen e mundësit të ri, Leonardo Frrokaj, ai tha: “Mundësi Leonardo Frrokaj ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, ndërkohë që po mbahet nën vëzhgimin e mjekëve të specializuar në Slloveni. Dua të theksoj se, edhe pse Shqipëria arriti të ngjitet në podium në Kampionatin Ballkanik të Mundjes për moshat shkollore që u zhvillua në Turqi, për respekt të Leonardo Frrokaj në atë turne nuk iu bë jehona e këtij triumfi në media.

Kjo gjendje e mundësit shqiptar ka vënë në lëvizje të gjithë drejtuesit e Federatës Botërore të Mundjes, të cilët janë duke u interesuar direkt për përmirësimin e shëndetit të tij.” Kampionati Kombëtar i Mundjes për të rritur ishte dhe aktiviteti i fundit sportiv i organizuar nga Federata Shqiptare e Mundjes për vitin 2017. Sportistët më të mirë të këtij kampionati do të përzgjidhen për të marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare të mundjes, ku Shqipëria synon të përfaqësohet gjatë vitit të ardhshëm. Në fund të këtij aktiviteti janë shpallur dhe fituesit, ku ekipi i Tiranës është shpallur Kampione e dyfishtë në stilin e “lirë” dhe në atë “greko-romak”.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"