Mundja kundër qeverisë, Biba: Nuk fillojmë pa zgjidhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2020 | 11:51

Mundja kundër qeverisë, Biba: Nuk fillojmë pa zgjidhje

Sporti në Shqipëri po kalon një situatë të jashtëzakonshme, me futbollin që ka vendosur për bojkot deri në plotësim të disa kërkesave nga ana e shtetit. Ndërsa nga ana tjetër sportet me salla të mbyllura vijojnë të jenë të ndaluara nga qeveria për shkak të “COVID-19”. Ndonëse Kosova rreth një javë më parë dha i hapi aktivitetet në salla të mbyllura për sportet individuale, në Shqipëri gjithçka vijon të jetë pezull.

MARTIN BIBA

Federata Shqiptare e Mundjes ashtu sikurse edhe shumë federata të tjera prej kohësh i kanë bërë kërkesë qeverisë për t’iu rikthyer normalitet, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Martin Biba, presidenti i Federatës së Mundjes, konfirmon se shteti deri tani i ka injoruar për këtë çështje: “Realisht kemi kërkuar lejimin e aktiviteteve në ambiente të mbyllura, por deri tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me këtë pjesë, pasi nuk kemi marrë asnjë përgjigje të saktë nga shteti. Ne kemi pa realizuar Kupën e Republikës dhe Kampionatin Kombëtar”, thotë Biba.

NË KRAH TË FUTBOLLIT

Megjithatë, edhe në rast të dritës jeshile nga organet kompetente, Martin Biba bën të ditur se mundja nuk do të zbresë në tapet pa marrë zgjidhje çështja e futbollit, të cilën kreu i FSHP-së e quan një problematikë për të gjithë sportin. “Mundja është në krah të futbollit duke mbështetur bojkotin dhe do të vazhdojmë t’i përkrahim për çështjen e ligjit të sponsorizimit dhe problematikave që i ka bërë të ditura futbolli. Ligji i sponsorizmit është themelor për ne dhe të gjithë sportin”, deklaroi Biba në një prononcim për “Panorama Sport”.

Biba, i cili ka bërë të ditur edhe kandidimin e tij për presidencën e Komitetit Olimpik, akuzon KOKSH-in se po qëndron larg këtyre çështjeve delikate, ndërsa u bën apel të gjitha federatave që të bashkohen në këtë betejë: “KOKSH po qëndron në hije për këtë çështje kaq madhore, ndërsa dua t’i bëj thirrje të gjithë homologëve të mi, drejtues federatash që të jenë në krah të futbollit dhe të gjithë së bashku të jemi në krah të sportit”.

LIGJI I SPONSORIZIMIT

Kreu i mundjes shqiptare e quan me hile formulën e re të ligjit të sponsorizimit, ndërsa sugjeron se duhet marrë shembull nga Kosova. “Nuk jemi aspak të kënaqur me formulën e re, pasi është një propozim me shumë hile. Është një gropë e madhe e krijuar me hile dhe që lë vend për shumë paqartësi. E vetmja zgjidhje për ne është 30% e tatimit të fitimit dhe të fillojë gradualisht. Nëse nga tatim fitimi i biznesit do të marrim 30%, sigurisht që sporti do të çlirohet dhe do të fillojë të marrë frymë. Biznesi aktualisht nuk është i gatshëm për të hedhur lekë në sport edhe nëse do t’i zbriten nga tatimet. Por fillimisht duhet të bëhet ligji, ndërsa më pas ne na duhet shumë punë për të lobuar për afrimin e kompanive”, përfundoi presidenti i mundjes shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"