“Mundim Skënderbeun”, Dalipi sheh “play out”-in: Vendi i 9-të apo 10-të, njësoj është. Rëndësi ka mbijetesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 13:15

“Mundim Skënderbeun”, Dalipi sheh “play out”-in: Vendi i 9-të apo 10-të, njësoj është. Rëndësi ka mbijetesa

Luajnë me Skënderbe un, por në Lushnjë shohin në horizont “play out”-in. Shanset për të shpëtuar direkt janë thuajse të pamundura, e megjithatë verdhejeshilët një fitore përballë korçarëve e duan. Jo vetëm për të kapur vendin e 9-të, por edhe për moral. Klevis Dalipi e ka të qartë se për çfarë do të zbresin sot në orën 16:00 në “Roza Haxhiu”.

Klevis Dalipi

Nuk merret fort me kundërshtarin që do t’i duhet të kalojnë në ndeshjen shtesë, por disa llogari i bën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë:

“Do të luajmë ndeshjen e fundit të kampionatit të rregullt me Skënderbeun. Mund ta mbyllim në vendin e 9-të apo të 10- të. Unë mendoj që këtu nuk ka dallim se cilën skuadër do të kemi përballë, fituesen e ‘play off’-it të Grupit A apo B. Si në Veri dhe Jug ka skuadra, të cilat nuk kanë trysni. Luajnë një ndeshje ku nuk kanë se çfarë të humbasin, ndaj presioni bie mbi ne.

Këtë kam bërë maksimalisht dhe e kam përcjellë te futbollistët. Pres që nesër (sot) me korçarët, të bëjmë një paraqitje dinjitoze. Do të ketë vlerë më besoni, do të përkthehej me më shumë moral për ndeshjen finale. Mendja jonë është pikërisht në ‘play out’-i dhe aty pres perfeksionin”.

SHPËTIMI – Me apo jo ndeshje shtesë, trajneri beson fort te mbijetesa. Këtë mision e kishte që në ditën e parë kur pranoi stolin e lushnjarëve.

“Në momentin që kam pranuar të jem pjesë e Lushnjës, i kam bërë disa kalkulime. E dija se ku po shkoj. Kam parë me shumë vëmendje edhe kalendarin që më priste. Kam analizuar edhe përbërjen e skuadrës, pa ditur se kush do të vinte në merkato.

Në janar, ne, sidoqoftë, ndërhymë, ndonëse plane kisha që të merrja më shumë lojtarë nga Superiorja. Por ata nuk u bënë asnjëherë pjesë jona. Afruam vetëm katër në formë huazimi, që dhanë kontributin e tyre. Por ja që Doksani u dëmtua. Ata janë futbollistë me të ardhme, por kanë pasur problem me mënyrën e përshtatjes. Po ashtu, kemi vuajtur edhe shumë dëmtime. Nuk e mora me mendimin ‘të dalë ku të dalë’. E mora besimplotë me mendimin se do të bëj të mundur të mbaj një grup solid gjatë këtyre katër muajve.

Të merrnim ndeshjen në transfertë, sepse ekipi nuk kishte asnjë pikë jashtë fushës. Morëm tri barazime në fusha shumë të vështira. Përveç Orikut dhe Luzit, që ishin kundërshtarët tanë direkt, përballë tyre nuk arritëm dot të merrnim pikët që morëm me skuadrat e tjera. Unë nuk mendova për asnjë çast që, ‘po e marr Lushnjën, ta provoj’.

Unë e mora drejtimin e këtij ekipi me besimin që do të arrij ta shpëtoj. Së bashku me futbollistët, stafin teknik, stafin mjekësor, me klubin dhe tifozët, kemi shumë besim se në këtë ndeshje shtesë do të bëjmë të pamundurën për t’i dhënë dinjitetin sportiv këtij qyteti. Madje, edhe më shumë sepse është një skuadër që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar”, deklaroi trajneri i Lushnjës, Klevis Dalipi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"