“Mundim Apoloninë në derbi dhe mbijetojmë”, Kaloshi i jep zemër Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2022 | 23:13

“Mundim Apoloninë në derbi dhe mbijetojmë”, Kaloshi i jep zemër Lushnjës

Lushnja nuk pësonte gol prej tri javësh, por përballë Vorës e prishi këtë statistikë. Edhe pse kundërshtari ka rënë zyrtarisht në Kategorinë e Dytë, u ndëshkua tri herë. Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj tani duhet të fitojë në 180 minutat e fundit për të shmangur “play out”-in. Janë të 9-ët, por vend për qetësi nuk ka. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Mikel Kaloshi “qan” gabimet ndaj vorakëve.

Kaloshi-720x470

Portieri mendon se skuadra e nënvlerësoi kundërshtarin, e megjithatë nuk dorëzohet. “Ishte një ditë e keqe për të gjithë ekipin. Nuk kemi luajtur si gjithmonë. Nuk pësuam me Korabin, Burrelin apo Erzenin, por pësojmë tre gola nga Vora… Ndoshta e nënvlerësuam kundërshtarin dhe si pasojë erdhi ajo paraqitje jo e mirë e ekipit. Nuk duhet të ulim moralin, sidoqoftë, pasi na pret një ndeshje derbi. Duhet të vazhdojmë të punojmë për të arritur objektivin që kemi. Të fitojmë ndeshjet tona dhe të qëndrojmë në këtë kategori”, deklaroi fillimisht gardiani i verdhejeshilëve.

DERBI

Lushnja këtë javë pret Apoloninë. Kjo është ndeshja e fundit në stadiumin “Roza Haxhiu” për këtë sezon dhe ajo që jep shpresë është ecuria që kanë në shtëpi. Kanë 14 muaj që nuk mposhten, por përballë fierakëve lakmohet vetëm fitorja. Kaloshi mendon se me pikët e plota dhe ndalesa e rivalëve mund të sjellë mbijetesën që këtë të shtunë.

“Kemi avantazhin e dy pikëve në tabelë dhe kjo nuk është pak, kur kanë mbetur dhe dy javë kampionat. Ne duhet të fitojmë ndeshjen e së shtunës ama. Nëse mundim Apoloninë, vendi i 9-të është i sigurt. Luajmë në shtëpi pastaj dhe në stadiumin tonë na ka ecur mirë gjithë kampionatin. me një stadium të tejmbushur, mendoj se do ta kemi shumë herë më të thjeshtë që të realizojmë misionin dhe më pas ta kthejmë në festë”, përfundoi Kaloshi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"