Mundi Kukësin në transfertë, Prençi merr zemër: Tani s’do ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2017 | 17:46

Mundi Kukësin në transfertë, Prençi merr zemër: Tani s’do ndalemi më

Fitorja spektakolare në Kukës ka transformuar tërësisht Lushnjën. Atmosfera e zymtë dhe trishtimi i kanë lënë vend entuziazmit. Kur Lushnja po i humbiste ndeshjet një e një duke u rrokullisur pa pengesa drejt humnerës, tri pikët e mëdha ndaj kuksianëve treguan se skuadra verdhejeshile mund të arrijë rezultate të rëndësishme dhe të jetë prezente në garë.

Qendërmbrojtësi i Lushnjës, Elvis Prençi, autori i golit të parët në “Zeqir Ymeri”, që i hapi rrugën fitores, për “Panorama Sport” thekson se tashmë skuadra ka më tepër besim.

Elvis Prenci

“Kishim bërë disa ndeshje të mira në transfertë, por kundërshtarët na e kthyen rezultatin. Kujtoj ndeshjet me Flamurtarin apo Kamzën, ku kemi qenë në avantazh dhe kemi humbur. Këtë herë treguam vendosmëri dhe mbi të gjitha kemi bërë një lojë shumë të mirë. Jam shumë i gëzuar për golin. Jo gjithmonë topi do të shkojë te shtylla si me Kamzën. Jemi shumë të kënaqur me fitoren sepse treguam që Lushnja ka forca dhe mundë- si për të bërë një garë dinjitoze për mbijetesë”, është shprehur qendërmbrojtësi Prençi, që ndaj Kukësit shënoi golin e parë si verdhejeshil. Mbrojtësi dibran është aktivizuar 450 minuta te Lushnja.

Të gjitha i përkasin pesë ndeshjeve të fazës së dytë. “Jam shumë i gëzuar që ia kam shpërblyer besimin trajnerit Dedja. Kemi bërë një fitore që do të na shërbejë shumë në planin psikologjik. Tani për ne ka rëndësi vazhdimësia që të punojmë sa më shumë. Për të riparuar gabimet, për të marrë më të mirën në çdo ndeshje. Kemi mundësi për të tjera rezultate pozitive dhe t’u afrohemi edhe më shumë Vllaznisë dhe Luftëtarit. Kemi një javë të rëndësishme për të përgatitur ndeshjen me Skënderbeun”, përfundoi titullari i mbrojtjes së Lushnjës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"