“Mund ta kishim pësuar”, Kuman pranon gafat: Holanda meriton respekt, objektiv ishte kualifikimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 19:36

“Mund ta kishim pësuar”, Kuman pranon gafat: Holanda meriton respekt, objektiv ishte kualifikimi

Trajneri i kombëtares holandeze ka folur në prag të ndeshjes me Estoninë në mbrëmjen e sotme. Pas barazimit 0-0 në Irlandën e Veriut që i dha kualifikimin skuadrës portokalli, Kuman u shpreh se skuadra e tij do të luajë për vendin e parë në grup.

kuman

“Është një ndeshje si gjithë të tjerat. Sigurisht që në ndeshjen e kaluar donim të fitonim për të pasur më shumë shanse që të dalim të parët në grup. Por, gjithsesi, duhet të jemi të kënaqur me mënyrën se si shkuan gjërat. Arritëm objektivin dhe kjo ka rëndësi për ne”. Më pas tekniku i “Tulipanëve” foli edhe për gjendjen fizike të Memfis Depait, i cili nuk luajti në ndeshjen e fundit për shkak të një dëmtimi.

“Ai është mirë, por do të ulemi me të më vonë për të parë nëse mund të jetë në fushë apo jo. Vendimi do të merret i përbashkët, pasi nuk duam të rrezikojmë shëndetin e tij. Sigurisht që një aktivizim i tij mund të shkaktonte polemika me Lionin, të cilët preferojnë që lojtari i tyre të mos aktivizohet dhe të pushojë. Por, nëse ai është në gjendje të mirë, mund të luajë pa asnjë problem”. Mungesa të tjera të sigurta për Holandën janë edhe ato të mbrojtësit Virxhil Van Dajk dhe Rajan Babelit, ndërsa De Run dhe Marten do të vuajnë kartonët e verdhë.

Ndërkohë, Kuman konfirmon gjithashtu se mbrojtësi tjetër, De Vraj, që luan për Interin, nuk do të jetë gjithashtu në fushë për të zëvendësuar Van Dajkun. “Ai nuk është në 100% të formës së tij dhe si rrjedhojë nuk do të luajë”. Me kualifikimin në xhep, Kuman u shpreh se sot do të jetë shansi për të parë disa lojtarë të rinj në fushën e lojës. “Është një mundësi e mirë për mua për të parë punën e disa djemve të rinj. Ndeshja e nesërme (e sotme) duhet të jetë një festë për të gjithë të pranishmit në stadium”. Kuman u kthye të fliste për ndeshjen në Irlandën e Veriut, duke thënë se skuadra vuajti shumë, sidomos në pjesën e parë. “Jam gjithashtu i zhgënjyer, pasi në ndeshje të tilla nuk mund të luash me atë nivel loje, por mendoj që ju (mediat) e keni bërë shumë tragjik këtë fakt. Sigurisht që kemi qenë kritikë të vetes pas ndeshjes. Ne jemi një skuadër në rritje dhe ashtu siç ndodh rëndomë në këto situata, disa gjëra nuk mund të shkojnë gjithmonë mirë. Deri në verë do të ulemi dhe do të bisedojmë me lojtarët, pasi të luash në Europian është një gjë shumë ndryshe nga këto ndeshje që kemi zhvilluar deri tani”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"