Muguna, i vetmi i huaj që mund të afrohet te Tirana. Vijojnë negociatat për “fiksimin” e Ze Marias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2017 | 23:01

Muguna, i vetmi i huaj që mund të afrohet te Tirana. Vijojnë negociatat për “fiksimin” e Ze Marias

Kenet Muguna mund të jetë afrimi i parë dhe i vetëm në merkaton e Tiranës. Por, këtu u referohemi vetëm blerjeve nga tregu i huaj, pasi klubi pritet që të operojë për të pasuruar disa reparte gjatë muajit janar. Mesfushori 21-vjeçar është “fiksimi” i hershëm i Ze Marias. Trajneri brazilian e ka drejtuar te Gor Mahia këtë lojtar dhe, sapo firmosi kontratën me Tiranën, e vendosi në krye të listës së dëshirave.

keneth muguna

Por, gjatë verës, ai gjeti “bllokadën” e kenianëve, të cilët kërcënuan që do të ngrinin edhe padi në FIFA, në rast se ish-trajneri i tyre nuk do të hiqte dorë nga negociatat. Kur kanë kaluar 5 muaj, situata ka ndryshuar dhe shanset që marrëveshja të mbyllet me firmë janë rritur ndjeshëm. Burime pranë klubit konfirmojnë për gazetën se ende nuk mund të flitet për akord, megjithatë shanset që Muguna të vishet bardheblu janë rritur ndjeshëm.

Dhe, nëse gjithçka shkon sipas planeve, klubi ka një plan më konkret për tregun e huaj. Afrimet me të huajt mund të mbyllen vetëm me afrimin e fantazistit. Katër nga pesë “ekstrakomunitarët” që kanë në organikë, jo vetëm që e kanë kaluar “klasën”, por janë shndërruar në titullarë të padiskutueshëm te Tirana, ndaj një largim i mundshëm i tyre gjatë dimrit përjashtohet kategorikisht. I vetmi që rrezikon është Hardi Binguila, i cili sot e kësaj dite vazhdon të mos stërvitet me grupin.

muguna ze maria

Ai bashkohet vetëm për dy ditë me pjesën tjetër të ekipit, më pas i rikthehet gjendjes së zakonshme, duke shtuar frikën për një riaftësim të vonshëm të tij. Duke qenë se në fushë lejohen vetëm 4 të huaj, vend për të afruar më shumë se një lojtar pa pasaportë shqiptare nuk ka.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"