Muçaj tregon gabimet e fazës së parë: Vendi i dytë nuk mjafton, Besës i duhen afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2021 | 16:05

Muçaj tregon gabimet e fazës së parë: Vendi i dytë nuk mjafton, Besës i duhen afrime

Ledion Muçaj priste më shumë nga Besa. Edhe pse 2021 e gjeti ekipin në vendin e dytë të klasifikimit, kapiteni “qan” pikët e lëna. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” mesfushori analizon gabimet e bëra gjatë fazës së parë.

 

Besa MIQESORE LOGO

“Të jesh në vendin e dytë është sukses, por për Besën nuk mund të konsiderohet i tillë. Investimi i bërë në ekip duhej të shoqërohej me më shumë pikë. Nëse në takimin e javës së parë të fazës që lamë pas, atë me Lushnjën, dolëm të humbur, nuk duhet të lejonim barazimin me Egnatian në javën e dytë brenda në Kavajë, apo edhe më keq humbja në Berat. Të humbësh nuk është tragjedi, por kjo mund të justifikohet kur vjen përballë një kundërshtari më cilësor, jo sikur ne që ia dhuruam atë fitore Tomorit në Berat. Kur them këtë, kam parasysh forcën e grupit, përbërjen e tij”, pohon 28-vjeçari që nisur nga ky fakt është besimplotë se në vazhdimësi, verdhezinjtë do të jenë shumë më të kujdesshëm.

Sipas tij, këtej e tutje çdo hap fals do t’i kushtojë shumë objektivit të ekipit: “Vërtet kemi diferencë prej një ndeshje me Egnatian, por synimi ynë mbetet rikthimi në vendin e parë. Që të ndodhë kjo, na duhet të çmojmë çdo pikë, që do të thotë se një hap fals na rrezikon jo vetëm marrjen e kreut të klasifikimit, por edhe objektivin. Personalisht kam besim e bindjen se, brenda pak javësh do kapim kreun dhe nuk do ta lëshojmë atë deri në fund”. Muçaj nuk mohon faktin se Besa ka nevojë për përforcime.

“Si çdo ekip që ka pretendime sa i takon objektivit, edhe Besa ka nevojë për më shumë kontingjent cilësor. Nga një bisedë e bërë me presidentin Bizhdili, ai më ka garantuar se mundësitë janë të mëdha që brenda kësaj jave të kemi prurje të reja. Dihet se në merkaton e dimrit është e vështirë të afrosh futbollistë me përvojë, pasi ekipet nuk i lëshojnë ata, por ju e dini se Bizhdili nëse e do një futbollist bën çmos ta marrë. Largime nuk kemi pasur me përjashtim të Levendit, që do të thotë se mbetemi me grupin e plotë. Edhe sikur të mos kemi asnjë afrim, ky kontigjent futbollistësh është i aftë e i gatshëm të arrijë Superioren”, përfundoi kapiteni. Stërvitja – Verdhezinjtë e kanë nisur me “marshin” e pestë sezonin e ri. Kështu, trajneri Artan Mërgjyshi dje ia ka marrë “shpirtin” ekipit, që e ka stërvitur me dy seanca ditore. Fillimisht grupi ka punuar në fushën stërvitore nga ora 10:00-11:30, për t’u rikthyer sërish në orën 14:30.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"