Muça: Nëse e çoj Tiranën në FIFA, fitoj 150 mln lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2016 | 15:11

Muça: Nëse e çoj Tiranën në FIFA, fitoj 150 mln lekë

Ish-trajneri i Tiranës ka folur për shumë çështje që pas largimit të tij nga bardheblutë dhe me afrimin te Klubi Shumësportësh Partizani.

mucaI ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, me moderatore Hygerta Sakon, Muça ka komentuar ndryshimin e stolit te Partizani dhe ka komentuar çështjen e tij me 24 herë kampionët që e shkarkuan.

“Në çdo sezon, Tirana nis me objektivin për të fituar titullin. Kur nisëm punën në fillim, synimi ishte që të ndërtonim skuadrën (për një periudhë kohe relativisht të shkurtër) që të ngrihet në ato nivele që duhet dhe që të synojë gjithmonë titullin. Jam i bindur që nëse do të fillonte kampionati tani, Tirana do të ishte pretendente reale për titull.

Megjithatë, humbja e pikëve në fillim ka bërë që Tirana të mbesë pas me pikë, por jo me nivel loje apo cilësie, krahas skuadrave të tjera”, ka komentuar fillimisht Muça. I pyetur nga moderatorja që “nëse bardheblutë nuk marrin trofe, a rrezikon prapë prishja e skuadrës”, ai është përgjigjur:

“Ajo varet nga mentaliteti që kanë drejtuesit. Mbase fillon t’u dhembë xhepi i tyre dhe fillojnë që të mendojnë më mirë. Mbase e kuptojnë që futbolli është një lojë që nuk bëhet me çelës, por që kërkon durim dhe kërkon kohën e vet për trajnerin apo lojtarët. Mbase e mësojnë që puna duhet të bëhet me qetësi dhe duhet pranuar gjithashtu që futbolli është i tillë që ka edhe rezultate jo vetëm të pëlqyeshme.

Mbase e kuptojnë që duhet të punojnë të gjithë, sepse punën nuk mund ta bëjë vetëm njëri, por shumë hallka në klub që duhet të funksionojnë si dhe që duhet garanci financiare. Janë shumë elementë që të bëjnë të dalësh kampion”, ka qenë përgjigjja ironike e trajnerit për drejtuesit e 24 herë kampionëve.

Më tej, Shkëlqim Muça ka shpjeguar se si mund të drejtohet një klub profesionalisht, sipas gjykimit të tij në bazë të përvojës dhe eksperiencës, duke përmendur disa nënçështje:

Problemi

Gjatë një kampionati, do të ketë edhe momente negative. Por puna është si menaxhohet një humbje apo rezultat i padëshiruar. Shembulli-Ka pasur në Shqipëri edhe klube që kanë marrë masa që pas dy apo tri humbjesh dhe nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Ama është edhe Skënderbeu, që është menaxhuar me qetësi dhe me durim derisa ka arritur aty ku është sot. Mos harroni që edhe vjet ishte minus shtatë pikë me Kukësin, por ia doli që të shpallej kampion.

Titulli

Skënderbeu më duket një hap përpara Partizanit. Kjo për shkak të vetë kontingjentit të lojtarëve që ka në dispozicion. Sa i përket Partizanit, nuk e kuptoj aspak largimin e Starovës. Më duket një lëvizje absurde, pasi Partizani po bënte sezonin më të mirë”, është shprehur Muça që më pas ka bërë edhe një batutë në lidhje me krahasimin mes ndryshimeve që kanë ndodhur në tabelën e klasifikimit me Partizanin dhe Tiranën.

Batuta

Më shumë më bëhet qejfi që Tirana është në vend të tretë, sesa për faktin që Partizani ka barazuar Skënderbeun me pikë në krye”.

Muça-Tirana

Është një çështje, të cilën trajneri e ka fituar në FSHF nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, por ai ka deklaruar se mund të fitojë edhe në shkallën e fundit të gjykimit. Nëse e nis si çështje. “Unë nuk dua ta personalizoj.

Megjithatë, unë kam fituar një gjyq në FSHF. Ka një vendim të federatës dhe të nesërmen apo të pasnesërmen ky institucion duhet të dërgonte letër në klub dhe unë të merrja paratë. Unë edhe nëse e dërgoj në FIFA, e kam të sigurt që e fitoj. Bëhet fjalë për një kontratë 3-vjeçare dhe rreth 150 milionë lekë të vjetër.

Por unë nuk dua ta bëj një gjë të tillë. Madje as paratë që më detyrohet tani Tirana, që sipas vendimit të FSHF-së janë 40 milionë lekë të vjetër, nuk i dua. Po të më vijnë e të më japin vetëm rrogat e muajve që kam qenë në punë, ata 3 muaj, ia kam falur të tjerat. E deklaroj publikisht. Edhe çështjen e kam hapur vetëm për t’ua bërë të qartë që më detyrohen për ato para. Vetëm kaq.

FIFA

Tiranën e presin edhe të tjera probleme në të ardhmen, për lojtarët që ka larguar si në rastet: Bushiç, Ristevski apo Ndikumana. Lojtarë që janë larguar dhe nëse dërgojnë çështjet në FIFA, e sigurt që fitojnë, pasi e përsëris që në gjyqe të tilla ka vlerë vetëm kontrata e firmosur. Asnjë fjalë, apo koment tjetër. Klubi duhet të ketë kujdes kur firmos kontratat dhe sidomos kur e mbyll kontratën”, ka komentuar Muça.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"