“Mrekullitë ndodhin”, Ernest Gjoka: Gati të befasojmë Totenhemin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 16:23

“Mrekullitë ndodhin”, Ernest Gjoka: Gati të befasojmë Totenhemin…

Ernest Gjoka mendon se mrekullitë ndodhin dhe sot ai lutet për një kualifikim historik ndaj Totenhemit në Ligën e Europës. Trajneri tiranas i Shkëndijës ka dalë para mediave, teksa komentoi ndeshjen ndaj anglezëve. I pashmangshëm ishte edhe komenti për Zhoze Murinjon.

GJOKA

“Kjo ndeshje është specifike, sepse të gjithë e dimë kush është Totenhemi dhe çfarë përfaqësojnë ata. Ne jemi gati dhe e di që nesër (sot) do të japim më të mirën tonë. Por, do të shohim nëse do të jetë e mjaftueshme. Ne jemi të vetëdijshëm për ndryshimin e madh midis të dy klube, por duhet të përpiqemi të jemi të disiplinuar dhe të bëjmë mirë detyrat tona. Ne e dimë se surprizat ndodhin, le të shpresojmë se diçka e tillë do të bëhet realitet”, ka thënë fillimisht Gjoka.

MURINJO

Trajneri i Shkëndijës gjithashtu komentoi takimin me një nga teknikët më të mirë në histori, Zhoze Murinjo. “Kur jep më të mirën, fati të ofron të përballesh me një nga trajnerët më të mirë në botë. Është një nder i madh për mua. Murinjo pyeti për Shkëndijën dhe kjo është një gjë normale për botën në të cilën jetojmë.

Të pyesësh Pandevin është një gjë normale, sepse ai ishte lojtari i tij tek Interi. Unë jam i sigurt se Pandev i ka thënë Murinjos të vërtetën, sepse Shkëndija është lokomotiva e futbollit maqedonas”, theksoi trajneri i tetovarëve. Në fund Gjoka deklaroi se edhe në rast eliminimi, skuadra e tij do të dalë e fituar nga kjo ndeshje.

mourinho

“Ne do të dalim të fituar edhe nëse rezultati nuk do të jetë në favorin tonë. Do të kemi mundësinë të mësojmë si të sillemi ndaj skuadrave elitare siç është Totenhemi. Është një përplasje me një skuadër gjigante që drejtohet nga Murinjo. Kjo ma shton mua dhe skuadrës akoma më shumë motivimin për të bërë më të mirën në këtë ndeshje”, përfundoi numri një i pankinës tetovare.

Ndërkohë, në konferencën për shtyp Gjoka kishte zbuluar se edhe Shkëndija nuk ka qëndruar duarkryq për të marrë informacione shtesë rreth Totenhemit. Ka qenë ish-trajneri i Shkëndijës, Bruno Akrapoviç, ai që ka folur me Gjokën, pasi një javë më parë me Lokomotiv Plovdivin e tij, Akrapoviç ishte përballur kundër Totenhemit të Murinjos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"