Moxhi: Jemi për titull, pres gjëra të mira nga “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 14:32

Moxhi: Jemi për titull, pres gjëra të mira nga “demat”

Prania e Luçiano Moxhit në stadium ishte konsideruar si “ters” për të kuqtë, pasi në katër ndeshjet që ai ka qenë në tribun VIP, ekipi nuk kishte arritur të fitonte. Por të kuqtë e kanë thyer dje edhe këtë tabu, pasi “Big Luçiano” ka shijuar suksesin e “demave” në “Selman Stërmasi” ndaj Luftëtarit.

moxhi

Pas suksesit të fundit, Moxhi ka dalë para mediave, ku ka pohuar se skuadra nuk ka pasur probleme, por si ekip i ri nuk mund të jepte rezultate menjëherë. Moxhi ka pohuar se Partizani nuk ka hequr dorë nga lufta për titull, por pret akoma më shumë nga ekipi.

U larguan problemet te Partizani pas këtyre dy fitoreve radhazi?

Nuk kemi pasur probleme. Është thjesht çështje klasifikimi dhe duhet të ngjiteshim në tabelë. Në ditët e para, sigurisht që nuk mund të prisnim mrekulli, sepse kishim shumë lojtarë të rinj dhe donin kohë që të përshtateshin. E patë sot (dje) që bënë një ndeshje të mirë, sidomos Adorjan. Pak nga pak po marrin formën e tyre më të mirë dhe po njihen me skuadrën. Nuk është e lehtë të luash në një kampionat të ri. Mendoj se kjo skuadër do të luftojë fort dhe do të bëjë gjëra të mira.

A do të luftoni për titullin kampion?

Sigurisht që po. Unë besoj dhe shpresoj. Tani i kemi lënë pas krahëve problemet e fillimit të sezonit dhe duhet të vazhdojmë të përmirësohemi për të fituar vende në renditje. Nuk shkoi siç duhet fillimi i kampionatit, por tani jemi mirë. Lojtarët duhet të punojnë dhe të gjithë të tjerët për të nderuar fanellën e Partizanit.

Çfarë note do t’i vinit trajnerit Iuliano deri tani?

Edhe ai, ashtu si lojtarët, ka dashur kohë të përshtatet. Nga dita në ditë, sigurisht që do të bëjë dhe po bën akoma më mirë. Unë jam besimplotë që do të vazhdojë të bëjë gjëra të mira dhe pozitive në këtë skuadër. E kalon klasën Partizani aktualisht? Besoj se e kalon klasën, por të gjithë duhet të bëjnë akoma më shumë për të marrë nota më të larta dhe të mira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"